Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, zhvilloi të mërkurën një takim me përfaqësuesit e kompanisë “Intrakat”, që është përzgjedhur nga Delegacioni Evropian për kryerjen e punimeve për projektin e Shetitores përgjatë bregdetit të këtij qyteti, ku ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve vendore dhe ato me vartësi qendrore, që do të bashkëpunojnë për finalizimin e këtij investimi.
Në këtë takim u deklarua se në 15 shtator do të nisin punimet për fazën përfundimtare të “Lungomare”-s (Shetitores) së Vlorës, që parashikohet të finalizohen në 23 gusht të vitit të ardhshëm, kur projekti mendohet të marrë formën e vet të plotë.
Gjatë këtij takimi, u bë një përshkrim i plotë i projektit, që u shoqërua edhe me elementë vizualë të tij, ku përfshiheshin detaje teknike, si edhe elementë të tjerë, që krijuan një tablo të gjerë të këtij investimi, që e ndryshon tërësisht dhe thelbësisht bregdetin nga Skela në Ujin e Ftohtë.
Përmes këtij projekti do të rehabilitohen 4 km rrugë aktuale, ndërkohë që do të ndërtohet pjesa kryesore e shetitores, në një gjatësi prej 3.5 km. Po ashtu, do të krijohen mjedise të gjelbëluara që do të alternohen me elementë të tjerë dekorativë, me hapësira sportive etj, si dhe do të mbillen në të gjithë gjatësinë rreth 700 pemë.
“Lungomare” do të konceptohet si një hapësirë ku do të alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, çka krijon një mundësi që gjithkush të gjejë vetveten, në varësi dëshirave të tij, duke u dhënë përparësi këmbësorëve. Kjo do të plotësohet me hapësirë të konsiderueshme parkimesh, një nga elementet e dukshme të këtij projekti.
Gjithashtu, në pjesën e majtë të shetitores Skelë-Uji i Ftohtë, do të ndërtohen hapësirat e parkimeve, ndërkohë që në pjesën e djathtë janë parashikuar pedonalja dhe korsia e biçikletave. Projekti parashikon dy korsi automjetesh, me kahje të ndërsjelltë, të ndara me një hapësirë të gjelbër, çka është konsideruar e mjaftueshme nga projektuesit për fluksin e lëvizjes me makina. Në këtë hapësirë do të ndërtohen edhe mjedise sportive, në përshtatshmëri të plotë me të gjitha elementet e tjerë.
Në këtë takim, kryebashkiaku Dritan Leli garantoi të gjithë mbështetjen e nevojshme për kompaninë që është përzgjedhur nga Delegacioni Evropian, për realizimin e këtij projekti, që financohet nga Bashkimi Evropian. “Duke u nisur nga ndjeshmëria e lartë qytetare për këtë vepër që do të ndryshojë tërësisht pamjen e qytetit në pjesën bregdetare, u dhashë përfaqësuesve të firmës suportin maksimal, çka reflektohet edhe në fajktin se sot këtu, bashkë me përfaqësuesit e firmës, janë të gjithë drejtuesit e institucioneve me të cilët komapnia do të bashkëpunojë në të gjitha etapat për realizimin e projektit final të “Lungomare”-s”, u shpreh Leli.
Ai shtroi domosdoshmërinë e bashkëpunimit, ndërkohë që garantoi mbështetjen e tij si kryetar i bashkisë dhe si qytetar. Kryebashkiaku Leli bëri të ditur se fillimi i fazës finale të projektit është data 15 shtator, çka krijon mundësitë për të mos penguar ecurinë e sezonit veror.