Vlorë – Berisha, do ndërtojmë portin më të madh të Mesdheut, një park industrial dhe një aeroport

Kryeministri Berisha u tha të rinjve se hapi i parë ishte anëtarësimi i vëndit në NATO, i dyti ishte kërkesa për anëtarësim në Bashkim Europian dhe shumë shpejt, qeveria pret përgjigje për reformat e saj për liberalizimin e vizave. “Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, mandatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, mandatin e shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, mandatin e një Shqipërie tjetër, e një Shqipërie evropiane.” u shpreh Berisha. “Ju do të lëvizni të lirë në mbarë Evropën pa viza. Ne do ta bëjmë realitet premtimin tonë, brënda vitit të parë të mandatit tonë të dytë”, u shpreh Berisha. Duke garantuar të rinjtë për përkushtimin e tij në rritjen e cilësisë së arsimimit dhe për punësimin e tyre, kryeministri Berisha e cilësoi mandatin e dytë qeverisës si mandatin e rinisë. “Për qeverisjen time, projekti i më i bukur i Shqipërisë, projekti më i bukur i Vlorës është në mendjen tuaj, në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj. Ndaj dhe unë kam bërë zgjedhjen time, do të bëj gjithçka për ju që ju të bëni Vlorën dhe Shqipërinë ashtu siç ju e doni vetë. Në katër vite ne trefishuam numrin e studentëve nga 52 mijë në 150 mijë. Në katër vitet që vijnë ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë” deklaroi kryeministri Berisha gjatë takimit në Vlorë. “Vlora nga sot do të fillojë të ndërtojë parkun industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik. Vlora do të ketë njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë evropian.” shtoi më tej Berisha. Sipas kryeministrit në Vlorë së shpejti do të nisin punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili do të punësojë jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë.

Advertisement