Vlorë | Basha: baza e PD në piedestal të ri statutor

Kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij në Vlorë, Shijak, Fushë Krujë dhe Krujë. Basha ka garantuar anëtarët e vjetër dhe të rinj të PD-së, se nëse zgjidhet kryetar i PD, baza e kësaj partie do të lartësohet në një piedestal të ri statutor, duke u bërë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në PD. “Në statutin e ri të PD, ne do ta lartësojmë anëtarësinë dhe bazën e PD në një piedestal të ri statutor. Kjo nënkupton vendosjen me votë të çdo procesi, nga emërimet dhe përzgjedhjet e kryetarëve bazë të seksioneve, grup-seksioneve, degëve e deri tek përzgjedhja e më të mirëve mes nesh, për t’u përballur në betejat tona politike, lokale dhe qendrore”, nënvizoi ai. Basha ka theksuar se vetëm pasi t’i japim garanci çdo anëtari, që zëri i tij do të dëgjohet dhe kontributi do të vlerësohet, PD do të jetë më e fortë për luftën opozitare dhe rrugën për t’u rikthyer në pushtet. “Si partia që jep garanci që zëri i çdo anëtari të dëgjohet, që kontributi i çdo anëtari ndër vite e deri më sot, të përkthehet në meritë transparente para anëtarësisë, jemi gati të nisim që sot luftën opozitare më të paepur, por dhe rrugëtimin tonë më të vendosur drejt rikthimit si maxhorancë zyrtare në Shqipëri”, tha Basha.

Advertisement