Janë arrestuar sot Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, pasi akuzohen për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ata janë arrestuar sot pranë burgut 313 në Tiranë.
Arrestimi i tyre është bërë me kërkesë të prokurorisë për krimet e Rënda. Dy të arrestuarit e sotëm, në bashkëpunim me Emiljano Shullazin e Gilmano Danin, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.
Prokuroria për Krime të Rënda është duke zhvilluar hetime për një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për “gjobvënie”. Gjatë këtij hetimi, fillimisht janë arrestuar Emiljano Shullazi, Gilmano Dani dhe Blerim Shullazi.
Sipas njoftimit të prokurorisë, në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qënë të pranishëm në disa momente kur Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.