Veshja e Harris ditën e inaugurimit e parashikuar nga “The Simpsons”?

Një tjetër parashikim i “The Simpsons” ka ndodhur në të vërtetë.

Sipas të apasionuarve të serialit të famshëm pretendohet se veshja që zv/ Presidentja e SHBA, Kamala Harris kishte në ditën e inaugurimit është parashikuar më herët.

Advertisement

Në një nga episodet e këtij seriali, të transmetuar në vitin 2000 shfaqet Lisa Simpson, e cila përshkruhet si Presidentja e ardhshme e SHBA-ve. Lisa Simpson ka qenë e veshur me një fustan lejla me vathë dhe varëse me perla të bardha, teksa edhe Kamala Harris është shfaqur në ceremoni me fustan lejla dhe vathë e varëse me perla të bardha.

Ajo që është vënë re ditën e ceremonisë së inaugurimit ishte që Kamala Harris, Michelle Obama dhe Hillary Clinton, kanë qenë të veshura me fustane të cilët varionin në nuanca të lejlasë e sipas ekspertëve kjo nuk ishte një rastësi.

Ajo ishte një zgjedhje e qëllimshme e ngjyrave, duke treguar një përzierje të ngjyrave dalluese të partive politike të kuqe dhe blu. Ngjyrat kishin për qëllim të ndillnin një ndjenjë solidariteti, dy-partiake dhe uniteti.

Veçanërisht për Harris, ngjyra e fustanit kishte një kuptim edhe më të veçantë. Ajo thuhet se e kishte veshur këtë ngjyrë gjatë fushatës së saj për presidencën në 2019 për të nderuar Shirley Chisholm, e cila gjithashtu mbante vjollcë shpesh gjatë fushatës së saj historike si gruaja e parë e Zezë që kandidoi për President.