Fieri është qarku i cili rrezikohet më shumë nga përmbytjet e kësaj fundjave.
Si pasojë e prurjeve të mëdha të Gjanicës, në dy lagje të qytetit Fier, në lagjen 1 Maj dhe Sheq, në rreth 150 banesa e biznese uji u fut brenda.
Në komunën Cakran ka përmbytje të tokave. Në fshatin Çerven të komunës Frakull janë përmbytur 6 banesa, ku banorët janë evakuuar nga policia si dhe janë dhe rreth 50 banesa të tjera të rrethuara nga uji.
Në fshatin Feras të komunës Levan në rreth 50 banesa po hyn uji brenda. Forcat e policisë po evakuojnë banorët dhe gjënë e gjallë. Në Poçem është përmbytur stacioni i pompave të ujit dhe Mallakastra dhe komunat përreth kanë mbetur pa furnizim me ujë. Ndërkohë që lumi i Semanit është fryrë tej mase dhe rrezikon edhe ai përmbytje.
Në qarkun e Beratit reshjet me intesitet të lartë rënduan situatën pasi uji ka pushtuar sipërfaqe të tëra të tokave si dhe banesa. Zonat më problematike për momentin janë Skrapari ku është dëmtuar një urë, ndërsa në komunën Otllak uji ka vërshuar nëpër banesa. Në Urën Vajgurore me dhjetëra banesa janë nën ujë.
Për të menaxhuar këtë situatë u mblodh Shtabi i Emergjencave ku është thirrur për ndihmë edhe Ushtria
dhe Policia duke koordinuar evakuimin e banorëve.
Sipas shefit të Emergjencave, Halim Koxhai, situata është nën kontroll për momentin, por në bazë të komunikimit me qarqet e Korçës e Skraparit prurjet janë duke u shtuar dhe kjo bën që situata të rëndohet.
Nga reshjet pa pushim gjatë ditës së djeshme dhe natës, që në orët e para të mëngjesit lumi Vjosa ka dala nga shtrati si rrallë ndonjëherë në historinë e tij duke përmbytur rrugën nacionale Përmet-Tre Ura dhe Përmet-Tepelenë, duke izoluar qytetin e Përmetit në rrugën tokësore.
Niveli i ujt arriti të bllokojë edhe rrugët lidhëse të qytetit duke përmbytur disa biznese dhe dyqane në anë të shtratit të tij. Nga uji janë përmbytur edhe 2 pompat kryesore që furnizojnë me ujë qytetin e Përmetit. Edhe në Këlcyrë lumi Vjosa vërshoi brenda qytetit duke përmbytur disa shtëpi, ku uji aritur të futet në katet e para të banesave.
Në Elbasan u bllokua zona e shpatit për shkak të rrëshkitjeve të tokës në aksin Elbasan-Gjinar pranë fshatit Shelcan të cilat shkatërruan një pjesë të mirë të kësaj rruge. Po ashtu është bllokuar edhe rruga Elbasan-Gramsh pasi niveli i ujit ka kaluar mbi Urën e Shushicës pranë hidrocentralit të Banjës, çka e bën të pamundur udhëtimin në këtë aks rrugor.
Në Memaliaj, në lokalin e quajtur 1 Maji, është bllokuar roja i lokalit nga prurjet e mëdha të lumit Vjosë, i cili u shpëtua me helikopter të Forcave të Armatosura.