“Venecia” thotë fjalën e fundit, reforma i takon parlamentit

Komisioni i Venecias miratoi këtë të premte draftin përfundimtar të reformës në drejtësi duke e lënë topin në fushën e politikës shqiptare për kalimin e saj.

Lajmi është konfirmuar fillimisht nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përmes rrjeteve sociale.

“Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për reformën në drejtësi dhe falenderoi delegacionin e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk ka marrë një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrë pas miratimit përfundimtar nga Venecia.

Raporti përfundimtar i Venecias është ‘zyrtarizim’ i draftit të ndërmjetëm të bërë publik në fillim të këtij muaji.

Debateve të forta politike, se cili do të jetë fati i mëtejshëm i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla pas miratimit të reformës, Venecia u jep këtë verdikt:

“Nëse prokurori i përgjithshëm kalon procesin e vetingut dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se, ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve tek të cilët aplikohet vetingu? Në të tilla kushte, Komisioni i Venecias nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”, thuhet në paragrafin 81 të faqes 18 të opinionit.

Për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët i zgjedh Kuvendi, Venecia rekomandon:

“Duke marrë në kosideratë krijimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni rekomandon krijimin e një rregulli zgjedhjeje me shumicë të cilësuar për 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti”, thuhet në paragrafin 39, faqja 9.

Venecia rekomandon se i duhet kushtuar vëmendje mënyrës së zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi.

“Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar, anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri, që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione, apo një model tjetër i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, sugjeron opinioni.

Ekspertët e Venecias kërkojnë bërjen kujdes me procesin e vetingut për gjykatësit dhe prokurorët.

“Komisioni Special i Kualifikimit dhe gjykatësit e Këshillit Special të Kualifikimit janë përgjegjës për procesin e vetingut, i cili do të jetë 9 vjet pa të drejtë ribërjeje. Ndërsa i gjithë procesi i vetingut supozohet të zgjasë 11 vjet, apo më pak nëse Shqipëria do t’i bashkohët BE-së në një datë të mëhershme. Kjo kohështrirje është e gjatë. Komisioni e pranon nevojën e vetingut, por me kushtin se duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe në mënyrë strikte, një masë e përkohshme. Komisioni i Venecias nuk është në pozicion të parashikojë se sa kohë nevojitet për të kaluar në sitë një gjyqtar apo një prokuror. Në rastet komplekse, procedura merr më shumë se 3 vjet, apo më gjatë”, thuhet në paragrafin 55 të faqes 12.

Opozita në draftin e saj ngulmon për zgjedhjen me 2/3-tat të organizmave të reja në drejtësi, ndërsa Venecia mendon se:

“Është e kuptueshme dëshira e opozitës për zgjedhjen me 2/3-tat, megjithatë Komisioni i Venecias në raportin paraprak nuk rekomandoi 2/3-tat. Të dyja shumicat e cilësuara janë legjitime dhe një metodë zgjedhjeje e propozuar në draftin e rishikuar. 3/5-tat në parim është një zgjidhje e pranueshme. Edhe kërkesa e zgjedhjes me 2/3-tat e votave në të cilën opozita insiston se mund të jetë inefiçente për t’ja arritur qëllimit, siç tregon shembulli në Hungari. Kërkesa e 2/3-tave pa një mekanizëm efiçent zhbllokues mund të sjellë çimentim e si pasojë rrezikimin e procesit të reformës. Komisioni nënvizon se nuk është detyrë e tij të bëjë propozime specifike kushtetuese për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në paragrafin 14 të faqes 5 të opinionit.

Venecia i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare në bërjen kujdes në mos kthimin e ndryshimeve kushtetuese në një “precedent” përgjimesh të pafundme nga shërbimi sekret për njerëzit e drejtësisë.