Vendoset barrikadë në afërsi të Merdares, pala serbe mbyll pikëkalimin kufitar!

Në ditën e 19-të nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, pikëkalimi kufitar në Merdare është mbyllur për shkak të vendosjes së barrikadave nga pala serbe.

Lajmin e njoftoi mbrëmjen e 27 dhjetorit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Advertisement

“Pikë Kalimi Kufitar në Merdare është i mbyllur për Hyrje-Dalje për faktin se në Republiken e Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga Kufiri në Merdare. Deri në njoftim tjetër PKK Merdare do jetë e mbyllur. Të shfrytëzohen Pikë Kalimet Kufitare tjera!”-njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e u ka bërë thirrje emigrantëve të përdorin pika të tjera.

Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.

Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, autoritetet në Kosovë, që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Grupe të serbëve lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.