Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, njoftoi përmes një konference shtypi ditën e mërkurë, se qeveria ka marrë vendim për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga përmbytjet në Shkodër.
“Kemi bërë një bilanc të detyrimeve që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura dhe detyrimet që ata i kanë shtetit në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike. Pra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja dhe detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike. Nga ky rakordim janë identifikuar 2868 kontrata, për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222,416,775 lekë. Thënë më qartë, që të kuptohet nga opinioni publik: nëse shteti ka një borxh ndaj një banori dhe ky i fundit ka gjithashtu një detyrim ndaj OSHEE-së, do të bëhet shuarja me kompensim deri në vlerën më të vogël, sipas shumave tanimë të përcaktuara”, tha Gjiknuri.
Ministri shtoi se këto dëmshpërblime do të shpërndahen përmes zyrave të OSHEE-së.
“Në rastin kur detyrimi i energjisë elektrike, që banorët e zonave të përmbytura kanë ndaj OSHEE, është më i madh se detyrimi që shteti u ka atyre, palët janë të detyruara që diferencën e detyrimit të energjisë elektrike ta zgjidhin sipas parashikimeve të kushteve të kontratave të furnizimit me energji elektrike. Ky vendim i qeverisë u vjen në ndihmë këtyre banorëve, të cilët prej vitesh janë lënë mënjanë, pikërisht nga ata që i përmbytën dhe i gënjyen me premtime boshe”, tha Gjiknuri.