Veliaj si kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës: Përgjegjësi historike

Foto Arkiv

Kandidati fitues për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, në deklaratën e parë publike pas zgjedhjeve, tha se fitorja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” më 21 qershor është më mbresëlënësja e viteve të fundit, pasi me votën e tyre shumica e shqiptarëve vendosi ta çojë vendin në drejtimin e duhur. Vota e shqiptarëve, theksoi ai, e ngarkon me përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës.

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, për Partinë Socialiste, për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për të gjithë ata që u bashkuan në Aleancën tonë për Shqipërinë Europiane, pasi na ngarkuan me përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës. Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative sot ka një përgjigje: që qytetarët dolën masivisht në votime dhe i dhanë fitoren ASHE-së në 46 bashki të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.

Advertisement

Ai falenderoi për bashkëpunimin në fushatë veprimtarët dhe aktivistët e PS-së, por dhe të forcave të tjera aleate në këto zgjedhje.

“Falenderoj nga zemra kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta për mbështetjen dhe inkurajimin konstant për këtë fitore të aleancës sonë”, u shpreh Veliaj, duke falenderuar mes të tjerëve dhe Pandeli Majkon, Saimir Tahirin, etj.

Një vlerësim të veçantë në fjalën e tij, Erjon Veliaj rezervoi dhe për kandidatin demokrat, Halim Kosova, por dhe katër kandidatët e pavarur, të cilët tha ai, të mos ndihen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës.