Përfaqësues të shkollave të mesme dhe universiteteve do të jenë pjesë e këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi sot në këshillin bashkiak me të rinjtë, bëri të ditur se shqetësimet e tyre, janë prioritet i bashkisë.
“Ne duam që të kemi një propocion kuotash, nga 61 anëtare që ka këshilli bashkiak, një pjesë të jenë presidentët e gjimnazeve, pjesa tjetër të jenë senatorë të universiteteve dhe organizatave rinore, që të dëgjojmë zërin e të rinjve’, tha Veliaj.
Po ashtu, Veliaj përmendi faktin se çdo ministër, pjesë e kabinetit qeveritar ka marë në patronazh një gjimnaz të Tiranës, për t’u informuar më shumë në lidhje me atë ç’ka ndodh nëpër gjimnaze.
Gjithashtu, në mbështetje të këtyre iniciativave, ai tha se këtë javë, bashkia e Tiranës ka nisur riparimin e disa shkollave në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë gjatë fjalës së tij, tha në lidhje me nxënësit më të mirë do të rikthehet tradita e bursave, ku secili nxënës që është i shkëlqyer në shkollë të mund të marë një pagesë të vogël inkurajimi.
‘Me buxhetin e vitit 2016, do të fusim pagesat për nxënësit e shkëlqyer dhe unë jam i ndërgjegjshëm se nuk mjafton një poster për më të mirët e kryeqytetit, por një pagesë e vogël është stimulues. Kjo është një mënyrë për të thënë, që pavarësisht që bashkia mund të ketë probleme financiare, mbështet me një pagesë të vogël më të shkëlqyerit, që ka potencial të frymëzojë të tjerët dhe të bëhet dikushi në këtë qytet, të mund të ketë paratë e xhepit që i duhen për një muaj”, u shpreh Veliaj.
Më tej, ai shtoi se është trefishuar buxheti i bashkisë që do të shkojë në shërbim të të rinjve, siç është karta e studentëve, kartën e transportit për ata që janë studentë dhe nxënës, apo për vizita në kinema dhe muze.