Veliaj betohet si kryetar i Bashkisë: Të gjithë bashkë do ndryshojmë Tiranën

Erjon Veliaj është betuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në ceremoninë e mbajtur paraditen e kësaj të enjteje në këtë institucion.

Këshilltarët e djathtë e kanë braktisur sallën në momentin e betimit, duke anashkaluar edhe fjalimin e Veliajt. Vendimin e tyre ata e kanë argumentuar me pretendimin se, prania e ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi ishte e paligjshme.

Advertisement

Në fjalën e tij, Veliaj ka deklaruar se, ai dhe skuadra e tij do të punojë me të gjitha forcat për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.

“Por ndryshimi i Tiranës kërkon kohën e vetë dhe bashkëpunim”, ka vlerësuar Veliaj. Duke u shprehur optimist për një bashkëpunim edhe me opozitën, ai i ka dërguar asaj edhe një mesazh.

“Do ta mirëpres gjithmonë debatin. Opozita do të gjejë tek unë një derë të hapur. I them opozitës se, ne i përkasim partive të ndryshme, por këtu përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Tiranës”, ka thënë Veliaj.

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës ka vlerësuar edhe qeverinë e në veçanti ministrin Bledi Çuçi për realizimin e reformës territoriale, që sipas tij do t’i japë një zhvillim të ri kryeqytetit dhe rretheve.

Ai ka premtuar se, administrata e re e bashkisë do të ofrojë shërbime të barabarta për qytetarët, duke mos bërë dallim mes atyre të qendrës dhe periferisë.

Ndërkohë, jashtë ambjenteve të bashkisë këshilltari i djathtë Leonard Olli ka konfirmuar se shkak për braktisjen e seancës u bë prania e paligjshme, sipas tij, e ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi.

Olli ka thënë se, prania e ministrit në fjalë përbën një zhbërje të autonomisë së pushtetit vendor dhe tregon ndikimin e qeverisë qendrore.

“U zhbë autoriteti i pushtetit vendor. Autori i antireformës territoriale, me urdhër të kryeministrit, krijoi një situatë të papreçedentë, duke treguar ndikimin e qeverisë qendrore dhe zhbërjen e autonomisë vendore. Sot u dëshmua se kryetar i Bashkisë së Tranës nuk do të jetë zoti Veliaj, por kryeministri Rama. Këtë ne nuk mund ta lejojmë”, ka thënë Olli.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se këshilltarët e opozitës do të jenë gjithmonë të gatshëm të japin kontributin e tyre kur të trajtohen çështje të rëndësishme për qytetarët.

Më herët në këtë seancë Aldrin Dalipi u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, me 41 vota pro dhe 19 kundër, ndërsa Vjollca Braho nga PDIU nënkryetare.