Objektet arsimore do të jenë gati për të pritur më të vegjlit e qytetit brenda muajit gusht. Bashkia e Tiranës u ka kërkuar kontraktorëve që po restaurojnë kopshtet e çerdhet, të përfundojnë të gjitha punimet brenda datës 28 gusht.
Gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr. 24, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se çdo institucion arsimor do të jetë gati për të pritur më të vegjlit e qytetit, me cilësinë dhe dinjitetin që duhet të ofrojnë objektet publike në qytet.
“Dua t’u bëj një apel të gjithë kontraktorëve tanë, që ashtu siç bisedova edhe me sipërmarrësin që po rikonstrukton kopshtin nr. 24, brenda datës 28 gusht të përfundojnë punimet në të gjitha objektet arsimore”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se për kopshtet puna ka nisur dhe mbetet veçse të përshpejtohen, për të kapur në kohë fillimin e sezonit të ri. Për këtë arsye, ai u ka kërkuar të gjithë kontraktorëve që të punojnë edhe me tre turne.
“U kërkoj të gjithë kontraktorëve që të punojnë me tre turne, për t’u siguruar që shtatori t’i gjejë familjet e Tiranës me kopshte të reja, ku mund të çojnë fëmijët e tyre, të ndihen të sigurt se janë marrë masat sepse gjatë verës është punuar për të mbajtur hapin e bashkisë së re të Tiranës”, tha Veliaj.
Krahas problematikës me kopshtet, kryebashkiaku Veliaj preku edhe situatën dramatike me çerdhet, ku biznese apo individë të ndryshëm po i bashkohen nismës “Adopto 1 çerdhe” për të tejkaluar këtë emergjencë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se prej borxhit 28 milion euro që u trashëgua nga bashkia e kaluar është krijuar një situatë e vështirë me çerdhet, duke lënë jashtë financimit 31 prej këtyre objekteve.
“Më vjen mirë që apelit tonë, sipërmarrësit u janë përgjigjur duke adoptuar rreth gjysmën e çerdheve dhe angazhohen vullnetarisht për ta adoptuar dhe siguruar që lyhet, suvatohet, pastrohet, pra të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor”, deklaroi Veliaj.
Ai falenderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj nisme dhe u kujtoi një pjese të mirë të bizneseve të Tiranës se ka edhe një javë kohë për të kapur afatin, që të gjitha çerdhet e qytetit të jenë në një gjendje dinjitoze për të pritur banorët e vegjël.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka prezantuar edhe administratorin e njësisë Dajt, Kujtim Qefalia.