Veliaj: 2 projekte për qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave!

2 kompani do të vazhdojnë garën në fazën finale për projektin e Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave, në Bulevardin e Ri të Tiranës.

Ato janë studio Fuksas nga Italia dhe Chybik+Kristof nga Republika Çeke që u shpallën më të mirat nga 5 kompani në garë. Për shkak të disa mangësive gjatë prezantimit, dy studiove u është lënë afat 1 muaj për të sjellë para jurisë projektin final nga do të dalë edhe fituesi.

Advertisement

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky projekt në Bulevardin e Ri do i japë një hov të ri zhvillimi pjesës tjetër të qytetit.

“Bulevardin e Ri na bën të kuptojmë sa është rritur Tirana për 100 vite dhe sa e nevojshme ishte për qytetin zgjatimi i shtyllës së saj kurrizore. Është edhe një krahasim me 100 vitet e para, kur arkitektët italianë ose vizitorët e epokës fashiste, vinin në Tiranë dhe thoshin: ‘kemi parë qytete pa bulevard, por s’kemi parë kurrë një bulevard pa qytet’. Ndaj duam që ta adresojmë menjëherë këtë dhe bulevardi t’i bashkohet pjesës tjetër së qytetit. Bëhet fjalë për të balancuar Tiranën në anën veriore, për t’u siguruar që qyteti ka dy qendra graviteti: Sheshi ‘Skënderbej’, si hapësira që e mban në vend këtë simetri, dhe “Bulevardi i Ri” si përkufizimi i ëndrrës sonë për Tiranën e shekullit të dytë Kryeqytet”.

Veliaj tregoi edhe disa nga institucionet e tjera që do të vendosen përgjatë bulevardit të ri.

“Disa prej institucioneve të drejtësisë do të kalojnë te Bulevardi i Ri. Kemi piketuar hapësirën ku do të jetë godina e re e Gjykatës së Lartë dhe jemi duke piketuar hapësirën për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës. Kemi një plan në prag të miratimit për të zhvendosur zyrat administrative të Bashkisë së Tiranës te Bulevardi i Ri. në Bulevardin e Ri jemi duke piketuar hapësirën që do jetë muzeu ‘Moma’, Muzeu i Artit Modern në Tiranë. Ndërkohë, jemi duke bërë një plan për një shesh ceremonial, në fund të Bulevardit të Ri, siç është sheshi Nënë Tereza në krahun tjetër”.

Për kreun e Bashkisë së Tiranës, prezantimi i projekteve për qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave, është mbyllja me e mirë e mandatit të dytë si kryetar bashkie. Por teksa u tregua i bindur në fitoren e mandatit të tretë, Veliaj tha se Tiranën e presin të tjera projekte pas 15 majit.