Një zjarr i fuqishëm që ra në orët e pasdites së djeshme në fshatin Dushk të Bashkisë së Vaut të Dejës, detyroi Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme që t’i drejtohen Qendrës së Bashkuar operative të Ministrisë së Mbrojtjes për ndihmë të menjëhershme. Me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, 30 efektivë të Batalionit të Vaut të Dejës, iu bashkuan forcave zjarrfikëse në vendin e ngjarjes, me qëllim neutralizimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e tij. Pas një operacioni disa orësh, u bë e mundur shuarja e zjarrit. Stina e nxehtë e verës dhe mundësia e zjarreve ka qenë një ndër çështjet që është trajtuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, në analizën e Forcave të Armatosura për gjashtë mujorin e parë të vitit 2013. Ai ka kërkuar nga drejtuesit e lartë të strukturave ushtarake rritjen e nivelit të gatishmërisë së personelit dhe të teknikës përkatëse të MNZSH, me qëllim ndërhyrjen në kohë dhe me efikasitet të lartë, në rastet kur do të kërkohet prezenca e Forcave të Armatosura në ndihmë të komunitetit.