Vasili: Kujdes epidemitë, plan masash nga Ministria e Shëndetësisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ka bërë sot thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të hartoje një plan masash që përmes strukturave të saj t’i vijë në ndihmë me shërbime shëndetësore të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht në zonat ku shfaqen problematikat më të mëdha si rrjedhojë e motit, qarku i Kukësit, Dibrës apo dhe i Korçës.

Deputeti i LSI-së, Vasili, u shpreh se përmbytjet dhe kapriçiot e tjera të motit në zonat verilindore dhe juglindore të vendit lypin një vëmendje të veçantë nga organet e shëndetësisë. “Jam këtu për të tërhequr vëmendjen në mënyrë të veçantë për hartimin e një plani konkret dhe për një monitorim e vlerësim intensiv të situatës në terren. Më konkretisht, Ministrise se Shëndetësisë, me të gjitha strukturat që ajo ka në dispozicion, i duhet tashmë jo thjesht dhe vetëm të ndjekë situatën në mënyrë të veçantë në zonat të cilat janë të përmbytura, por në mënyrë të veçantë dhe këtu detyra bëhet parësore, t’i dalë përpara vështirësimit të situatës edhe në veri të vendit, ku kanë filluar të shfaqen shenjat e para të përmbytjeve apo edhe në ato zona apo qarqe që kërcënohen nga i ftohti i madh dhe reshjet e dëborës, sikurse është sarku i Kukësit, i Dibrës apo qarku i Korçës, ku problemet sigurisht komplikohen dhe masat detyrimisht duhet të jenë të shpejta dhe të menjëhershme”, tha Vasili.
“Konkretisht, shtoi ai, duhet vlerësuar në terren nga i gjithë aparati i Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga drejtuesit e saj më të lartë, gatishmëria e qendrave shëndetësore, pajisja e tyre me barna, sepse një pjesë e mirë e tyre natyrshëm mund të bllokohen për shkak të reshjeve të dëborës apo dhe të përmbytjeve eventuale, ndërtimi dhe miratimi i një plani gatishmërie për spitalet, i cili do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe duhet të mbetet në fuqi derisa situata e motit të kalojë fazën e emergjencës dhe ajo të jetë në normalitet të plotë. Duhet menduar se cili do të ishte numri i dhomave të gatishmërisë nëpër spitale, cili do të ishte plani i ri që do të zbatohej kryesisht për operacionet e emergjencës, cili do të ishte kufizimi i ndërhyrjeve të planifikuara kirurgjikale, etj. Pra, një seri masash që e bëjnë një spital të jetë në gjendje gatishmërie në të gjitha qarqet e prekura, por në mënyrë të veçantë, një plan të tillë duhet ta kenë edhe qarqet jo të prekura, të cilat mund të vihen në dispozicion dhe të mbështesin pjesë të tjera të vendit me logjistikën dhe kapacitet e tyre profesionale shtesë”, nënvizoi ish-ministri i Shëndetësisë.
“Sigurisht, vijoi Vasili, një prioritet madhor në këtë situatë merr ndërtimi i një plani në nivel kombëtar për një veprimtari me fokus të veçantë të inspektoratit sanitar shtetëror, i cili dukshëm dhe besoj që edhe ju ndani të njëjtin sensiblitet me mua, duhet të merret në radhë të parë dhe mbi çdo gjë me çështjet dhe problemet e karakterit anti-epidemik dhe masat me karakter higjieno-sanitare e vlerësimin e tyre dhe sigurisht nuk është vendi për t’u marrë besoj në këto ditë të vështira të motit me kontrollin prioritar të pirjes së duhanit. Besoj që ky prioritet duhet t’ia zinte vendin një prioriteti më madhor, siç do të thotë të kesh mijëra njerëz që kërcënohen nga probleme të karakterit mirëfilli epidemik”, theksoi shqetësimin e tij Vasili.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së tha se me rëndësi në këto kohë përmbytjesh do të ishe ndjekja në terren në mënyre të drejtpërdrejtë dhe të përgjegjshme e veprimtarisë në bashkëpunim edhe me strukturat e veterinarisë për problemin shumë delikat përsa i takon shëndetit publik, problemit të bagëtive të mbytura dhe të ngordhura, të cilat, sipas Vasilit, paraqesin një potencial epidemik kërcënues”, përfundoi Vasili.

Advertisement