Ian Lawman që është njëkohësisht prestigjator dhe personazh televiziv, ka deklaruar se do vazhdojë të zhvillojë aftësitë e tij për të arritur sa më pranë vdekjes të jetë e mundur. “E kam pasur idenë për t’u varrosur i gjallë dy vite më parë. Në fillim ishte thjesht një mendim, por tani që arkivoli im është gati, po filloj të bëhem nervoz”,- ka rrëfyer prestigjatori. E teksa data e varrosjes po afron, Ian po stërvitet për të qenë i sigurt se çdo gjë do të shkojë sipas planifikimeve. “As do të ha e as do të pi për një javë të tërë. Do të marr vetëm disa tableta sintetike që janë të barazvlefshme me dy mijë kalori në ditë”,- ka thënë ai.
Përgatitja e Ian konsiston në orë të tëra meditimi, gjatë të cilave qëndron i palëvizur për një kohë shumë të gjatë. Gjatë kohës që do të jetë nën tokë, do të ketë edhe një kamera që do të transmetojë online në kohë reale. “Do të gjendem vetëm 30 cm larg eshtrave të ushtarëve të vrarë në luftë. Kam dyshimet e mia se do t’ja dal, pasi kanë provuar edhe persona të tjerë para meje dhe kanë dështuar, pasi nën tokë kanë qenë temperatura të padurueshme dhe janë pushtuar nga paniku”,- ka thënë Ian.