Universitetet, sot afati i fundit për regjistrimet

Sot është afati i fundit për të gjitha universitetet që të mbyllin procesin e regjistrimeve. Data 1 nëntor është mundësia e fundit për ata maturantë që janë shpallur fitues për tu regjistruar pranë sekratarive mësimore. Numri më i lartë i kuotave bosh, është në disa nga universitetet e rretheve, por edhe në Universitetin e Tiranës ka ende kuota të paplotësuara. Degët që vijojnë të kenë më shumë kuota të lira janë ato në Fakultetin Ekonomik, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ndërkohë edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës ka ende një pjesë të kuotave bosh.
Pak ditë më parë Drejtori i Portalit të klasifikimit për maturantët, Arjan Xhelaj tha për gazetën se në universitet publike ishin regjistruar 84% e maturantëve, pra 18 mijë studentë të rinj, ndërsa në universitetet private 35%, që do të thotë 4500 studentë. Ministria e Arsimit thotë se faza e fundit 12-orëshe, është mundësia e fundit për maturantët që të regjistrohen në Universitet. Nëse do të ngelen kuota bosh, Ministria e Arsimit pritet të vendosë nëse do të hapen sërish regjistrimet, apo këto kuota do të ngelen të paplotësuara.

Advertisement