Pasagjerët e linjave ajrore për në Turqi do të gjobiten nëse ngrihen në këmbë përpara se të fiket shenja e rripit të sigurimit pas uljes, thanë rregullatorët.
Autoriteti turk i aviacionit civil tha se e vendosi urdhrin pasi mori ankesa nga pasagjerët. Rregullat hynë në fuqi në fillim të këtij muaji.
Raportet e mediave turke thonë se gjobat do të jenë rreth 70 dollarë amerikanë (50 paund), megjithëse nuk përmendet asnjë shumë në udhëzimet e autoritetit.
Autoriteti paralajmëroi se kishte një “rritje serioze” të incidenteve të tilla, me shumë ankesa për pasagjerë që rrëmbenin bagazhe sipër kokës përpara se avioni të parkohej.
Turqia është një destinacion për dhjetëra miliona turistë çdo vit.
Autoriteti i aviacionit tha se linjat ajrore komerciale tani duhet të lëshojnë një njoftim gjatë fluturimit dhe të raportojnë ata që nuk i zbatojnë urdhrat.
Pasagjerëve duhet t’u thuhet që t’i mbajnë rripat e sigurimit të lidhur dhe të mos qëndrojnë në këmbë dhe të mos hapin dollapët sipër kokës derisa shenja e rripit të sigurimit të jetë fikur.
“Ata që nuk i ndjekin këto rregulla duhet të raportohen tek autoriteti, thuhet në të.