Turqi – Ministri Imami shpreh qendrimin e Shqipërisë për Kosovën

Në këtë takim ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori pjesë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i pranishëm në këtë ministerial, u shpreh pas takimit se, në këtë takim u shfaq qëndrimi i vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i konsideruar si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele në Kosovë. “Lidhur me Kosovën, u shpreh Ministri Imami, vlerësimi ynë është që stabiliteti politik është i qartë, progresi është i dallueshëm. NATO dhe Kosova mund të quhen një histori suksesi”. Por Ministri Imami theksoi se në veri të Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm edhe në këtë takim të NATO-s. Për ne, ka vijuar më tej z. Imami, është e rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon.

Advertisement