Trupi im është 15 vjeç!

Çdonjëri prej nesh mund të pohojë se trupi nuk ka më tepër se 15 vjeç. Kjo sepse qelizat që e përbëjnë kanë një cikël të tyrin jetësor: ndahen, rigjenerohen, vdesin e më pas zëvendësohen nga të tjera. Çdo tip qelize ka një jetëgjatësi të ndryshme nga tjetra e si rrjedhojë moshë të ndryshme. Qelizat e kockave tona psh. mund të kenë moshën 4 – 5 vjeç, ato të lëkurës ndoshta sapo janë rigjeneruar dhe të kenë vetëm pak ditë jetë. Kështu siç e kuptoni kjo “mosha tjetër” nuk ka të bëjë fare me atë të shënuar nëpër kartat e identitetit.

Jeta e çdo qelize varet nga roli që ka në organizëm: qelizat e stomakut për shembull vdesin e zëvendësohen çdo 5 ditë, pasi janë në kontakt me acidet që ndihmojnë tretjen, ndaj konsumohen më shpejt. Çdo qelizë e epidermës ka një jetë mesatare prej një jave, qelizat që formojnë mëlçinë zgjasin 5 muaj dhe rruazat e kuqe 4 muaj. Qeliza të tjera e kanë jetën shumë më të gjatë. Një kockë rimodelohet tërësisht dhe zëvendëson të gjithë qelizat e saj maksimumi për 10 vjet. Jetojnë shumë më tepër qelizat që formojnë zorrët, deri në 15 vite ashtu sikurse dhe disa fibra muskujsh.  

Advertisement

Ekzistojnë edhe qeliza të përjetshme që nuk zëvendësohen me kalimin e viteve si psh. dhëmbët nuk rigjenerohen. Indet e zemrës dhe neuronet kanë një jetë shumë të gjatë: ato mund të rigjenerohen por procesi i zëvendësimit është ndër më të gjatët e trupit të njeriut. Një person 70 vjeçar mund të ketë zëvendësuar vetëm gjysmën e qelizave të zemrës dhe të jetojë me qelizat origjinale deri në fund të jetës. Analiza të kohëve të fundit kanë provuar se disa qeliza të trurit, nuk janë në gjendje të rigjenerohen.

Në çdo trup njerëzor ka rreth 10 trilion qeliza. Duke konsideruar jetëgjatësinë e secillit lloj është përllogaritur mosha mesatare e një trupi njerëzor, që është 11 – 15 vjet. Mosha anagrafike ndikon në moshën e trupit, sa më tepër plakemi aq më tepër ulet aftësia e qelizave për t’u rigjeneruar. Ato riprodhohen më ngadalë dhe numri i qelizave që vdesin është më i madh se ai i qelizave që krijohen. Me pak fjalë qelizat e marra një e nga një janë shumë më të reja se mosha jonë e fiksuar në kartën e identitetit, por me kalimin e kohës ato plaken bashkë me ne.