Dy peshëngritës shqiptarë kanë rezultuar pozitiv në testin anti-doping dhe janë pezulluar përkohësisht nga çdo aktivitet sportiv.
Bëhet fjalë për kampionin e Botës në stilin e shkëputjes në Peshëngritje, Daniel Godelli dhe kampionin e Europës për të rinjtë Hysen Pulaku. Dy raste këto që, nëse do të rezultojnë pozitivë edhe në testin B, do t’i kushtojnë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes përjashtimin nga të gjitha kompeticionet botërore. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes e konfirmoi lajmin me anë të dy deklaratave, siç veproi në rastin e Begajt. IëF sqaroi se substanca e përdorur është stanozolol, e njëjta që u gjet në testin e Romela Begajt. Ndërkaq, sipas rregullores, palës mbi të cilën janë ngritur pretendime për prani të substancave të ndaluar, i jepet e drejta e ankimimit dhe e kryerjes së anlizës B, për t’u vërtetuar në këtë mënyrë nëse janë shkelur vërtetë rregullat. Rreth një javë më parë peshëngritja shqitpare pësoi tronditjen e parë, kur kampionia e botës në peshëngritje në stilin e shkëputetjes, Romela Begaj, rezultoi me prani të stanozololit. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes pezulloi përkohësisht Begajn, ndërsa peshëngritësja shqiptare me sigurinë se është e pastër, ankimoi këtë vendim dhe i është nënshtruar analizës B, testi final i cili sipas saj do të vërtetojë pastërtinë nga substancat e ndaluara nga Agjencia Ndërkombëtare e anti-dopingut. Përgjigjet e para të analizave kanë rezultuar povitive ndaj substancës stanozolol, e cila përmirëson performancën sportive, por në rast se edhe analiza B do të rezultojë pozitive, Begaj rrezikon 2 vjet pezullim nga peshëngritja. Godelli e Pulaku, ashtu si Begaj kanë kërkuar t’i nënshtrohen testit B. Nga federata nuk ka patur asnjë koment.