Tregtarët në protestë: Të shfuqizohet ligji i ri tatimeve

Bizneset protestuan para kryeministrisë, një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për procedurat tatimore, për të kërkuar shfuqizimin e tij. Ata thonë se gjobat e larta të parashikuara në ligj pavarësisht llojit të shkeljes do të cojnë biznesin në faliment.

“Po ju bëj me dije që gjysmë ore më parë nisi procedura për të cuar në kushtetuese ligjin dhe kemi shpresë që do të fitojmë”, tha një prej biznesmenëve.

Advertisement

“Kushtetuta parashikon gjobë progresive, jo për një fije gjilpëre të gjetur në faturën tatimore të falimentosh një biznes”, u shpreh  një tjetër.

“Dënohesh me tre vite burg dhe 10 mln gjobë, më thoni në 25 vite cili nga politikanët shqiptarë është burgosur”, tha një tjetër protestues.

Pas protestës së bizneseve ka reaguar kryeministri Rama.

“Mos lejoni që gënjeshtrarë dhe mashtrures ordinerë tju përdorin duke u thënë se po ju vjen e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore. E kundërta është e vërtetë, ne e kemi shprehur publikisht që për të gjithë tregëtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregjet e komuniteteve, jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, po ndryshim rrënjësor të regjimit fiskal të tyre, në shërbim të tyre”, tha Rama.

Por bizneset paralajmërojnë një tjetër protestë, edhe më të madhe në datën 27 nëntor ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të biznesit nga e gjithë Shqipëria.