Tom Doshi në “arrest shtëpie”, avokatët: Vendim i padrejtë.

Mes kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për “arrest me burg” dhe asaj të avokatëve mbrojtës për “lirimin e menjëhershëm të klientit të tyre”, Gjykata e Lartë ka gjetur një “rrugë të mesme”.Pas Mark Frrokut, edhe për Tom Doshin u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ky ishte verdikti i pesë gjyqtarëve të Kolegjit Penal, ku përballë ishin Prokuroria e Përgjithshme që kërkonte masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa avokatët e deputetit Doshi lirimin e menjëhershëm të klientit të tyre.
Pas vendimit, avokatët e deputetit Doshi deklaruan se masa e dhënë prej gjykatës ishte e padrejtë dhe e pabazuar në ligj. Sipas tyre, provat e paraqitura nga Prokuroria në seancë i jepnin të drejtë klientit të tyre për akuzën e “një tentative vrasjeje” ndaj tij.
Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë lirimin e deputetit Doshi, duke mos përjashtuar as dërgimin e çështjes në Gjykatën e Strasburgut.
“Do shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, edhe në Strasburg për këtë vendim”, tha avokati Vladimir Meçi.
Për shkak të sekretit hetimor seanca në Gjykatën e Lartë, për vlerësimin e masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura dhe në masa të forta sigurie.