Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmat “Zgjoi”, Virgjëresha shqiptare”, Luanesha e Kodrës” dhe “Pa vend”, kanë shënuar sukseset e radhës në arenën ndërkombëtare të filmit. Fituesi i trefishtë i Sundance, “Zgjoi” nga Blerta Basholli ka fituar Çmimin e garës ndërkombëtare ‘1-2 Competition’ në festivalin e Varshavës që u ndahet regjisorëve për filmin e parë ose të dytë të gjatë. Sakaq, “Virgjëreshat Shqiptare” nga Bujar Alimani, bashkëprodhuar me Kosovën ka fituar Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike dhe “Luaneshat e Kodrës”nga Luana Bajrami u shpërblye me çmimin ‘FIPRESCI’ që ndahet nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Fimit (Fipresci) për regjisorët nga Evropa Lindore me filmin e parë ose të dytë të gjatë.
Ndërsa filmi shkurtë “Pa vend” nga Samir Karahoda ka fituar Çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtë në festivalin e filmit të shkurtë të Qipros.
“Zgjoi” ka producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; ‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
“Virgjëresha Shqiptare” është bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Shqipërisë dhe Kosovës.
“Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës dhe Francës, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judeleëicz. Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.