Tiranë | Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Venizelos, nesër në Tiranë

Zëvendëskryeministri i Greqisë, njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Evangelos Venizelos do të vizitojë ditën e nesërme Tiranën në kuadër të një turi vizitash në Ballkan. Kjo vizitë do të japë një shtysë më shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, teksa pas marrjes së presidencës së BE-së, Venizelos ka deklaruar se, “Athina do të promovojë dhënien e statusit të kandidatit në BE Shqipërisë brenda kohës së Presidencës helene”. “Ka vende që mund të promovohen më shpejt, si Mali i Zi. Performanca e Shqipërisë gjithashtu është e kënaqshme dhe ne u shprehëm në favor të dhënies menjëherë tani, të statusit të vendit kandidat dhe do të shqyrtojmë këtë përsëri në qershor, gjatë presidencës greke”, u shpreh Venizelos. Kreu i diplomacisë greke këto ditë zhvilloi takime në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç si edhe shefin e diplomacisë, Ivan Mërkiç. Gjithashtu ai vizitoi Podgoricën, ndërsa sot do të qëndrojë për vizitë në Bosnje dhe Prishtinë, ndërsa nesër do të jetë në Shkup dhe Tiranë Greqia do të mbajë presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, para dorëzimit të presidencës së BE-së tek Italia më 1 korrik 2014. Kjo është hera e pestë që Greqia do të mbajë presidencën e BE-së që prej pranimit të saj në Komunitetin Europian në vitin 1981. Promovimi i politikave dhe veprimeve për të luftuar papunësinë, promovimin e kohezionit ekonomik dhe social dhe reformat strukturore, si dhe adresimi i sfidave të jashtme, duke përfshirë zgjerimin e BE, përbëjnë kuadrin e prioriteteve të Presidencës greke.

Advertisement