Tiranë – Zgjedhjet lokale, përgatitje administrative sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it

Një fakt të tillë, kryetari i prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Shqipëri, ambasadori Eugen Uollfarth, ia bëri me dije gjatë një takimi të përbashkët, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta. Uollfarth theksoi se “tani që më pak se shtatë muaj na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, nevoja urgjente për përgatitje të hershme administrative, sipas rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR-it, është më e madhe se kurrë. Të gjitha palët politike i kuptojnë detyrat e tyre për të vepruar në interesin kombëtar, duke përdorur të gjitha mekanizmat institucionale në dispozicion, veçanërisht Kuvendin, për të diskutuar, miratuar dhe zbatuar reformën zgjedhore”. Më tej, Uollfarth theksoi se pret me kënaqësi të punojë me qeverinë, në frymën e vazhdueshme të vullnetit të mirë, partneritetit dhe mirëbesimit. Ai premtoi se prezenca e OSBE-së do të vazhdojë t’i përqendrojë burimet e saj në zbatimin e projekteve të mëdha të drejtuara nga rezultatet, duke marrë parasysh përparësitë e vendit.

Advertisement