Tiranë | Zbardhet marrëveshja: Rama kryeministër, Meta kryetar i Kuvendit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të jetë kryeministër i ri i vendit, ndërsa kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri. Ky vendim u mor sot pas takimit për rreth dy orë e gjysëm mes kryetarit të PS-së dhe atij të LSI-së. Zyra e shtypit e PS-së njofton se në takim, ku u vendos për piketat e planit të tranzicionit deri në hapjen e legjislaturës së re, u ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, kryetari i PS -së, Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri. Gjatë takimit u konfirmua angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit. Gjithashtu, u vlerësua se një grup i përbashkët pune, nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS-së, Ilir Beqja, dhe anëtarit të kryesisë së LSI-së Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para, që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë. U çmua e nevojshme, edhe në vijim të kontaktit që të dy kryetarët patën dje me autoritete përfaqësuese të Azerbajxhanit, që në mbështetje të plotë të projektit të TAP të krijohet një Task Forcë për të ndjekur fazën përgatitore të projektit, si edhe për të organizuar në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendase që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit. U shpreh shqetësimi për të dhënat më të fundit që tregojnë se qeveria në detyrë nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie. Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit, u nënvizua gjatë takimit Rama-Meta. Gjithashtu, u nënvizua nevoja për t’i dhënë vendit një skuadër qeverisëse që do të sjellë një model të ri sjelljeje e veprimi në procesin qeverisës, si edhe një model të ri gjithëpërfshirës të parlamentarizmit me një frymë bashkëpunuese jo vetëm me opozitën, por dhe me shoqërinë në procesin ligjvënës. Po ashtu palët në takim u dakordësuan mbi ecurinë e mëtejshme të konsultimeve për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re, për të cilën do të dëgjohen me vëmendjen e merituar edhe aletatët e tjerë.

Advertisement