Tiranë – Ylli, protesta e opozitës ishte një dështim

“Protesta gjoja treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Deklaratat haluçinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pacensuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë” tha anëtari i Kryesisë së LSI-së Dritan Ylli. Sipas Yllit, kjo protestë kërkonte dhunimin e shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij. “E gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve. Ndaj qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth. Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera” tha Ylli. Më tej anëtari i Kryesisë së LSI-së u shpreh se zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2013, duke nënkuptuar kështu se fjalët e opozitës për zgjedhje të parakohshme janë boshe dhe se sipas tij Edi Rama ka mjaft kohë për të mësuar nga dështimi i kësaj proteste dhe për të vënë një herë të vetme interesat e shqiptarëve, mbi të tijat personale.

Advertisement