Në këtë takim merrte pjesë dhe Zëvendëskryetari i LSI që është kandidat i LSI në këtë njësi, Pëllumb Xhufi. “Programi i LSI i paraqitur përpara shqiptarëve, është vërtetë një program tepër i përpunuar, i detajuar, që ka pikat më të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Këto pika nevralgjike, përcillen dhe nga forcat e tjera politike, por pa arritur të japin ato zgjidhje që ne kemi dhënë, për fusha të tilla, siç është punësimi, që LSI e ka prioritet. Ne kemi shpallur që do të hapim 100 mijë vende të reja pune, duke treguar dhe mënyrat, rrugët dhe mjetet si do të realizohet ky synim i madh. Veç, të tjerash do reduktojë edhe varfërinë” tha Xhufi. Më pas Xhufi u shpreh se “ne kemi shpallur një program të tërë të detajuar me një cikël të plotë për bujqësinë shqiptare, e cila është dhimbje e madhe e ekonomisë tonë, është sektori që sot e kësaj ditë përfshin pjesën më të madhe të popullsisë, por që ka mbetur në një gjëndje primitive. Të braktisur nga shteti, e copëtuar dhe e fragmentizuar është bujqësia në mijëra e mijëra ekonomi të vogla, të pafuqishme, të pambështetura, të cilat nuk arrijnë jo vetëm të japin prodhim për bujqërit, por nuk japin edhe prodhim as për qytetin”.