Ai saktësoi se “E kemi votuar pro në parim dhe nen për nen imunitetin. E konsiderojmë të mbyllur cëshjen për imunitetin, kemi amendamente konsensuale të votuara në parim dhe nen për nen. Ne nuk kemi dhënë miratimin për grupin e amendamenteve në tërësi. Kjo do të ndodhë kur të kemi një tekst të integruar edhe të miratuar në tërësi si hapi i fundit para shqyrtimit në Kuvend”, tha ai. Duke iu përgjigjur kryeministrit Berisha por edhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, Xhafaj tha se vendosja e datës 6 gusht për votimin e cështjes së imunitetit nuk është konsensuale. Ai ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Berisha se, opozita ka rënë dakord që më datën 6 gusht të votohej për heqjen e imunitetit. Xhafaj tha se, “pretendimet e shumicës për datën 6 gusht, gjoja si sanksionim i rregullores janë absurde”. “Amendamenti i propozuar nga një grup deputetësh në 2008 ka përcaktuar procesin, ka vendosur kufij kohorë minimal në këtë proces, që të mos abuzohet. Rregullorja përcakton 2 javë kohë të lira, pa veprimtari para thirrjes së mbledhjes së komisionit dhe 2 javë të detyruara para shqyrtimit në seancë plenare. Nisma e PD-së është regjistruar në 6 korrik, seanca është lënë në 6 gusht, gjithsej 31 ditë kalendarike, nga këto 28 janë ditët që rregullorja i ka të kushtëzuara për shpalljen publike të projektit final, mbeten vetëm 3 ditë pune, kaq kanë qenë dhe ditët që i janë kushtuar procesit. Data 6 gusht është caktuar në mënyrë arbitrare, e njëashme, e parapërcaktuar dhe është jashtë çdo llogjike të frymës kushtetuese dhe rregullave parlamentare”, tha Xhafaj. Xhafaj shtoi se, kryeministri kërkon që ndryshimet t’i bëjë me forcë e ultimatum, por kjo, sipas tij, nuk mund të pranohet. “Këta duan t’i imponohen opozitës për gjithcka edhe në gjëra të thjeshta proceduriale. Data 6 gusht u vendos pa konsensus. Kryeministri spekulon, do të kapet fort pas datës, do t’i imponojë opozitës vullnetin e vetë, axhendën dhe forcën e vetë. Do të përdorë partnerët ndërkombëtarë në funksion të debatit dhe interesave të tij të brendshme politike”, tha ai. Duke iu referuar letrës që komisioneri Fyle i dërgoi kryeministrit Berisha, Xhafaj tha se në vend që të akuzojë opozitën, kryeministri duhet të reflektojë për të. “Sinqeritet dhe aftësi për kompromis, këto kërkon Fyle në letrën që i dërgon Berishës. Ai me siguri dyshon tek sinqeriteti i Berishës. Kryeministri kompromisin e ka zëvendësuar me diktatin dhe ultimatumin, ta lexojë drejtë mesazhin e Brukselit. Nëse do realisht bashkëpunim të heqë dorë nga kërcënimet”, tha Xhafaj më tej.  

Advertisement