Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth nxiti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të përmbushë përgjegjësitë e tij, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Në një takim që pati sot me kryetaren dhe zëvendëskryetarin e Komisionit, Ambasadori Wollfarth bëri thirrje për profesionalizëm dhe paanësi në punën e Komisionit, si dhe theksoi nevojën e miratimit sa më të shpejtë të rregullores së re, për të përmirësuar funksionimin kolegjial mes anëtarëve të Komisionit dhe administratës së tij. “Detyra dhe sfida kryesore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zbatimi i Kodit Zgjedhor në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në kohën e duhur. Është shumë e rëndësishme që Komisioni të vijojë të punojë në këtë drejtim”, tha ambasadori Wollfarth. Ai shtoi se Prezenca po planifikon një konventë të komisionerëve zgjedhorë, trajnim të komisionerëve të nivelit të mesëm dhe një fushatë për sensibilizimin e zgjedhësve që do të zhvillohen përpara zgjedhjeve. Gjithashtu, Prezenca ka financuar botimin e Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në shqip dhe anglisht. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për ta mbështetur administratën zgjedhore në punën e saj për të përmirësuar kapacitetet profesionale dhe teknike”, tha ai.