Një atentat i rëndë ka ndodhur sot paradite në zonën e bllokut në Tiranë.
Dy persona të maskuar, që ndodheshin në një motorr kanë qëlluar me armë zjarri biznesmenin, bankierin dhe botuesin e njohur të mediave, Artan Santo, i cili ka ndërruar jetë menjëherë pas atentatit. Sipas burimeve nga policia, atentatorët e kanë pritur të ndjerin sapo ka dalë nga automjeti i tij, pranë selisë qendrore të Bankës “Credins” ku po shkonte në punë dhe kanë qëlluar gjashtë herë në drejtim të tij. Atentatorët më pas janë larguar menjëherë në drejtim të zonës së Liqenit Artificial. Policia ka marrë masa të menjëhershme duke ngritur postoblloqe dhe duke aktivizuar njësi të posaçme në zonën ku ndodhi krimi dhe ku mendohet se janë larguar autorët. Në vendgjarja ka pasur dëshmitarë të shumtë, mes tyre një shitëse lulesh dhe roja i bankës. Ata kanë deklaruar se personat kanë pasur në shënjestër të ndjerin Artan Santo dhe kanë qëlluar me pistoletë pa silenciator. Policia e kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro, për cdo informacion të vlefshëm që do të cojë në kapjen e autorëve, në cdo rast duke ruajtur anonimatin, duke telefonuar në numrin 069 41 00003. Policia kërkon bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129.