Tiranë | Volfarth: ulja e moshës së votuesve, opsion për në 2017-n

alt

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, e cilësoi si të parakohshme idenë e Kryministrit Berisha për ulje të moshës së votuesve për herë të parë, nga 18 vjeç që është aktualisht, në 16 vjeç. I pyetur nga gazetarët pasi mori pjesë në një tryezë të “Forumit Civil 2010”, nëse mund të jetë funksional ky opsion për zgjedhjet e pritshme, Volfarth tha se, “ndoshta mund të jetë një opsion për të ardhmen, në 2017-n, sepse asgjë nuk është e gdhendur në gur. Mund të diskutohet dhe kjo është një çështje që duhet të diskutohet gjerësisht në publik dhe në parlament, por dyshoj se nuk ka kohë për ta bërë këtë deri në qershor, pasi na ndajnë tre muaj nga zgjedhjet dhe, me sa di, lista e votuesve, që tani quhet ekstrakt”. Më tej, duke iu referuar miratimit dje në Komisionin e Ligjeve të ndryshimit të emrit të komunës Liqenas, në emërtimin e saj të mëparshëm, Pustec, Volfarth shtoi se “është shumë e rëndësishme të kemi një situatë të qëndrueshme përpara zgjedhjeve e të mos ndryshohen gjërat. Për shembull, kur ngrihen çështje se a duhet ndryshuar apo jo emri i një komuniteti pikërisht përpara zgjedhjeve; përse duhet të ndryshohet një gjë kaq e rëndësishme vetëm disa javë përpara ditës së zgjedhjeve”, përfundoi ambasadori i OSBE-së.

Advertisement