Situata: Periudha e fushatës zyrtare filloi më 28 maj dhe veprimtaritë e fushatës kanë filluar të zhvillohen gjatë periudhës së raportimit. Situata e fushatës ka qenë përgjithësisht e qetë e paqësore, me vetëm disa incidente të izoluara. Gjatë saj ka pasur shpesh përdorim të akuzave e fjalëve të ashpra. KQZ: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet. Gjatë periudhës së raportimit, ai nxori një udhëzim mbi llogaritjen dhe transferimin e rezultateve zgjedhore, miratoi formatin e fletës së votimit dhe mori disa vendime të tjera të rëndësishme. Pavarësisht përpjekjeve nga kryetari i KQZ-së për të arritur konsensus aty ku ishte e mundur, KQZ-ja vazhdon të mbetet e ndarë dhe çështjet më të debatueshme vendosen në përputhje me qëndrimet partiake. Vëzhguesit afatgjatë të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve (MVZ) të OSBE/ODIHR-it raportojnë që shumë nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nuk po mblidhen rregullisht dhe nuk po zbatojnë oraret e punës që u janë caktuar nga KQZ-ja. Formimi i Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) është vonuar si rezultat i mosarritjes nga ana e partive të emërojnë anëtarët e këtyre komisioneve brenda afatit ligjor. Në një proces gjithëpërfshirës, KQZ-ja regjistroi listat e kandidatëve të shumicës së partive që dorëzuan listat dhe të një kandidati të propozuar nga një grup votuesish. Një parti u çregjistrua pasi u zbulua se kishte dorëzuar dokumente të falsifikuara. Përpjekjet për të pajisur çdo qytetar me karta identiteti vazhdojnë. Që nga 30 maji, u lejohet aplikimi vetëm qytetarëve pa pasaportë dhe që nuk do të mund të votonin pa karta identiteti. Sipas Ministrisë së Brendshme (MB), deri në 31 maj u bënë 1 milion e 170 mijë aplikime. PS: Opozita vazhdon të pretendojë se procesi nuk po menaxhohet siç duhet dhe më 1 qershor deklaroi se do të kryejë kallëzim penal kundër zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme për shkak të asaj që Partia Socialiste (PS) pretendon se ishte manipulim i qëllimshëm i të dhënave. Listat: Gjatë periudhës së raportimit, shumë ndryshe nga zgjedhjet e tjera, asnjë nga subjektet zgjedhore nuk e kontestoi përmbajtjen e listave të votuesve. Mediat: Dy javë para fillimit të periudhës së fushatës zyrtare, të gjitha kanalet televizive transmetuan reklama nga subjekte të ndryshme politike, në kundërshtim me ligjin. Monitorimi i mediave nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it tregoi se gjatë kësaj periudhe, gjatë lajmeve dhe programeve me tema nga aktualiteti, mediat e monitoruara kishin mbulim të njëanshëm dhe jo të balancuar të subjekteve kryesore politike. Gjatë periudhës së raportimit, në Kolegjin Zgjedhor u depozituan katër ankesa ndaj vendimeve të KQZ-së. Një vendim iu kthye KQZ-së dhe njëri u pranua. Dy ankesa mbi një rast të tretë do të shqyrtohen në 6 qershor. Asnjë ankesë nuk iu drejtua KQZ-së. Listat e kandidatëve të shumë partive u kthyen nga KQZ-ja për korrigjim, pasi nuk u përmbaheshin kërkesave të Kodit Zgjedhor për çështjet gjinore. Në dy raste, edhe listat e miratuara nuk u përmbaheshin këtyre kërkesave. Skena politike: Periudha e fushatës zgjedhore filloi në 28 maj. Aktivitetet e fushatës kanë filluar të zhvillohen gjatë periudhës së raportimit, po deri tani, në shumë zona të vendit, mbeten të pakta. Për të shënuar fillimin e fushatës, disa parti politike kanë zhvilluar mitingje në sheshe të hapura, ku kanë prezantuar platformat dhe kandidatët e tyre. Kryetarët e partive kanë kryer udhëtime të shumta nëpër vend, duke bërë edhe mitingje. Po hapen zyrat e fushatës. Stendat me postera po fillojnë të shfaqen, sidomos nëpër Tiranë. Partia Demokratike (PD) e Kryeministrit Sali Berisha është fokusuar në arritjet e qeverisë në largim, si dhe ka paraqitur synimet e veta për një mandat të ardhshëm qeverisës në fusha si zhvillimi i infrastrukturës, lufta kundër korrupsionit, arsimi, reforma e taksave dhe nxitja e biznesit të vogël. Partia Socialiste (PS) ka theksuar arritjet e kryetarit të saj Edi Rama, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke premtuar ta zgjerojë këtë sukses edhe në pjesën tjetër të vendit në fusha si infrastruktura, taksat dhe mjedisi. Situata e fushatës ka qenë përgjithësisht e qetë dhe paqësore. Incidente të izoluara ishin ai i 21 majit në Kamzë, kur tenda e fushatës së partisë G99 u dëmtua nga disa oficerë policie dhe në 26 maj një zyrë e PS-së në Tiranë u dëmtua nga persona të paidentifikuar. Gjatë kësaj periudhe të fushatës ka pasur shpesh përdorim të akuzave e fjalëve të ashpra. PD-ja është përqëndruar në mënyrë të veçantë tek pjesëmarrja e një ish-Ministri të Brendshëm të periudhës komuniste në mitingun e hapjes së fushatës së PS-së. PS-ja e ka akuzuar PD-në në mënyrë të vazhdueshme për korrupsion. Në 31 maj, kryetari i PS-së për Tiranën, duke nënkuptuar keqpërdorimin e fondeve të rrugës Durrës-Kukës, u shpreh se “Berisha ka punuar për të shtuar pasurinë e miqve dhe familjes së tij”. Si Qeveria, edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë përdorur aktivitete zyrtare për qëllime elektorale, duke e zbehur ndryshimin mes shtetit dhe partisë. Për shembull, më 25 maj, Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e një projekti për të ndërtuar një park hidro-energjetik pranë Shkodrës, në praninë e një grupi të madh njerëzish. Flamuj të shumtë të PD-së u shpërndanë në atë që dukej qartë së ishte një aktivitet zgjedhor. MVZ-së së OSBE/ODIHR-it i erdhën pretendime të besueshme se punonjësve të sektorit publik të lokalitetit u ishte kërkuar të merrnin pjesë në inaugurim. Më 29 maj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspektoi punën rikonstruktuese në Parkun e Tiranës. Në fjalimin e tij, ai u bëri thirrje njerëzve “votoni për mua dhe PS-në dhe ne do ta transformojmë situatën në vend njësoj si në Tiranë”. MVZ-së së OSBE/ODIHR-it i kanë ardhur shumë zëra nga disa parti të opozitës për ushtrim presioni ndaj punonjësve të sektorit publik, përfshirë edhe kërcënime se do të humbnin vendin e punës nëse nuk hiqnin dorë nga përfshirja në aktivitete politike. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) ka dalë me pretendimin se 18 mbështetës të saj janë pushuar nga puna në shtet për shkaqe politike pasi partia e tyre vendosi të bashkohet me koalicionin Bashkimi për Ndryshim, i drejtuar nga PS-ja. MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it po i ndjek këto pretendime. Administrata zgjedhore: Gjatë periudhës së raportimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi verifikimin dhe miratimin e listave të partive politike, miratoi formatin e fletës së votimit dhe përshtati një pjesë të udhëzimeve procedurale të nevojshme për zbatimin e Kodit Zgjedhor. KQZ-ja vazhdon të jetë e ndarë sipas linjave mazhorancë-opozitë për çështjet e debatueshme, mes katër anëtarëve të emëruar nga mazhoranca parlamentare dhe tre anëtarëve të emëruar nga partitë e opozitës. Çështjet më delikate miratohen me katër vota pro dhe tre kundër. Megjithatë, kryetari i KQZ-së po bën përpjekje të vazhdueshme për t’u konsultuar me të gjithë anëtarët dhe për të arritur konsensusin aty ku është e mundur. Shumica e diskutimeve që kanë ndezur polemika ishin në lidhje me procedurat ose interpretimet e Kodit Zgjedhor. Përfaqësuesit e autorizuar të partive politike kanë përdorur gjerësisht të drejtën e tyre për të folur dhe për të bërë propozime gjatë mbledhjeve të KQZ-së. Pas verifikimit dhe miratimit të listave të kandidatëve (shiko Seksionin IV, Regjistrimi i Kandidatëve), më 30 maj KQZ-ja miratoi formatin e fletëve të votimit dhe vendosi që printimi i tyre të bëhej me letër speciale watermarked, e cila do të përmbajë tre tipare sigurie shtesë që do të zgjidhen nga kompania që do të bëje printimin, pa iu komunikuar KQZ-së. Fletët e votimit do të printohen nga një shtypshkronjë sllovene, që i ka printuar edhe në disa zgjedhje të mëparshme të Shqipërisë. KQZ-ja ka bërë progres edhe në lidhje me procedurat për llogaritjen dhe transmetimin e rezultateve të zgjedhjeve nga Vendet e Numërimit të Votave (VNV) në KQZ. Më 22 maj, KQZ-ja hartoi një udhëzim që rregullonte llogaritjen dhe transferimin e rezultateve. KQZ-ja është duke testuar një program kompjuterik që do të përdoret për këtë qëllim. Më 3 qershor, pas disa përpjekjesh për të arritur shumicën e cilësuar të nevojshme prej pesë votash pro, KQZ-ja miratoi një udhëzim në lidhje me procedurat në VNV, për marrjen në dorëzim dhe verifikimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e votave. Njësoj si në zgjedhjet e mëparshme, udhëzimi është më i gjatë seç është nevoja dhe përsërit nene të Kodit Zgjedhor pa dhënë sqarime dhe udhëzime procedurale të mjaftueshme shtesë. Sipas KQZ-së, të gjitha Komisionet e Zonave për Administrimin e Zgjedhjeve janë në funksionim; megjithatë, vëzhguesit afatgjatë të MVZ-së së OSBE/ODIHR-it kanë raportuar që shumë KZAZ nuk po mblidhen rregullisht dhe nuk po i zbatojnë oraret e punës të kërkuara nga KQZ-ja, ndërsa zyrat e disa KZAZ-ve vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. KQZ-ja vazhdon të zëvendësojë anëtarë të KZAZ-ve me kërkesë të partive që i kanë emëruar. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike mund t’i zëvëndësojnë anëtarët që kanë emëruar në KZAZ pa dhënë shpjegime. Anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) duhet të ishin përzgjedhur deri më 14 maj dhe të emëroheshin deri më 19 maj, sipas Nenit 36.2 të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, partitë politike në mënyrë të vazhdueshme nuk ia dolën mbanë të përzgjidhnin anëtarët e KQV-ve, duke e vënë theksin te një dispozitë e të njëjtit nen sipas të cilës “Në çdo rast, emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve”. Trajnimi i KQV-ve është caktuar të bëhet mes 15 dhe 23 qershorit. Regjistrimi i kandidatëve: Në një proces gjithëpërfshirës, KQZ-ja fillimisht miratoi listat e kandidatëve të 35 nga 36 partitë që i kishin dorëzuar listat, si dhe kandidaturën e njërit nga dy kandidatët e propozuar nga grupe votuesish. Një parti nuk u miratua pasi kishte dorëzuar dokumentacion të paplotë dhe nuk kishte arritur ta korrigjonte brënda afatit ligjor; një nga kandidatët e propozuar nga grupe votuesish nuk u miratua sepse grupi i votuesve që e mbështetnin u regjistrua shumë vonë në KQZ. Listat e kandidatëve të të gjitha partive janë shpallur në faqen e KQZ-së në internet. Megjithatë, shumica e partive dorëzuan lista kandidatësh që u desh të ktheheshin për korrigjim. Shumica e mangësive në lista kishin të bënin me dokumentacion të papërshtatshëm (në shumicën e rasteve pasaporta të skaduara të përdorura nga kandidatët si dokumente identifikimi ose mosrespektimi i kritereve gjinore). Mbledhja e firmave mbështetëse rezultoi të ishte problematike. Sipas Kodit Zgjedhor, firmat mbështetëse duhet të depozitoheshin nga secili votues në mënyrë individuale para një noteri ose KQZ-së. KQZ-ja vendosi fillimisht të regjistronte një kandidat të pavarur dhe listat e Partisë së Punës së Shqipërisë e Riorganizuar (PPSHR), megjithëse asnjë prej tyre nuk i kishte paraqitur firmat e mbështetësve me deklarata të veçanta noterie për secilin votues, po kishin dorëzuar vetëm deklaratën noteriale për të gjithë listën e mbështetësve. PPSHR-ja paraqiti një deklaratë nga një notere, ku shkruhej se të gjitha firmat ishin depozituar para saj brënda të njëjtës ditë. Më 1 qershor, përfaqësuesi i PS-së në KQZ solli një deklaratë me shkrim nga noterja që thuhej se kishte noterizuar firmat e depozituara në mbështetje të PPSHR-së, ku ajo mohonte të kishte qenë e pranishme gjatë depozitimit të firmave të mbështetësve për PPSHR-në. Pasi kontaktoi noteren, KQZ-ja e anuloi vendimin e mëparshëm dhe e hoqi PPSHR-në nga fleta e votimit. Identifikimi dhe regjistrimi i zgjedhësve: Sipas Kodit Zgjedhor, Zyrat Vendore të Gjëndjes Civile (ZVGJC) duhet të hartonin Listat Përfundimtare të Zgjedhësve (LPZ) për të gjitha Qendrat e Votimit (QV) deri më 28 maj. Pasi të ishin nënshkruar nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, listat e secilës Qëndër Votimi duhet të dërgoheshin në KZAZ të printuara në tri kopje. Brenda pesë ditësh nga hartimi, KZAZ-të janë të detyruara ta shpallin njërën nga kopjet pranë qëndrës së votimit në një vend publik. Për një kategori të veçantë zgjedhësish ende nuk janë marrë masat e duhura, ata që do të votojnë në qendra të veçanta të hapura në spitale. Edhe pse afati për ngritjen e qendrave të votimit në spitale dhe institucione shëndetësore është data 7 qershor, ende mbetet për t’u përcaktuar procedura për heqjen e emrave nga LPZ-ja e zonës së votimit. Sipas raporteve të vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it, shumica e KZAZ-ve nuk e kishin marrë LPZ-në në afatin e caktuar nga Kodi Zgjedhor. Vetëm 19 nga 59 KZAZ-të e kontaktuara më 30 maj, konfirmuan që u ishin dorëzuar të trija kopjet e LPZ-ve. Shumë KZAZ nuk ishin të sigurt nëse i kishin burimet fizike për t’i shpallur listat në qendrat e votimit nën jurisdiksionin e tyre. Disa u shprehën se do të kërkonin mbështetjen e administratës vendore. Në LPZ gjenden emrat e 3,084,067 zgjedhësve, 88,313 më pak se numri i shprehur në Listën Paraprake të Zgjedhësve, gjë e cila tregon se janë bërë përpjekje të mëtejshme për ta pastruar bazën e të dhënave nga emrat që paraqiteshin dy herë, apo nga emrat e atyre që kanë vdekur. Gjatë periudhës së cilën mbulon ky raport, nuk ka patur asnjë subjekt zgjedhor që të kontestonte përmbajtjen e listës së zgjedhësve, gjë e cila është shumë ndryshe nga përvoja e zgjedhjeve të mëparshme. Vazhdojnë përpjekjet për pajisjen e qytetarëve me kartat identiteti. Më 28 maj, qeveria nxori një urdhër, sipas të cilit pas datës 30 maj qëndrat e aplikimit do të pranojnë vetëm aplikime nga qytetarët pa pasaporta, të cilët pa karta identiteti nuk do të kishin mundësi të vononin. Partia Socialiste ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të deligjitimizohen në rast se një numër i konsiderueshëm zgjedhësish mbeten pa karta identiteti, e si rrjedhojë, pa të drejtën e votës. Dita e fundit për të aplikuar për kartë në mënyrë që të merret në kohë për Ditën e Zgjedhjeve, është data 15 qershor. Në dispozicion të aplikuesve do të vihet një numër i posaçëm telefoni, me anë të të cilit qytetarët mund të marrin përgjigje për pyetje, apo udhëzime se si duhet të aplikojnë që të mund ta marrin kartën e identitetit përpara Ditës së Zgjedhjeve. Meqënëse për momentin sistemi është i tillë që nuk mundëson makineri të lëvizshme aplikimi, të gjithë ata që nuk mund të dalin dot nga shtëpia, janë të përjashtuar nga procesi. Sipas informacionit nga Ministria e Brendshme (MB), deri më 31 maj, ishin kryer 1,172,279 aplikime, dhe prodhuar 1,045,910 karta identiteti. Numri i kartave të dërguara në qendra është 1,019,910, ndërsa 652,067 prej tyre janë tërhequr nga qytetarët. Sipas qeverisë, rreth 730,000 qytetarë nuk kanë pasaportë, një shifër të cilën opozita e ka vënë në pikëpyetje duke u shprehur se është tepër e ulët. Prej tyre, 460,000 kishin aplikuar deri më 29 maj. Mendohet që nga numri i zgjedhësve që ende pritet të aplikojnë, rreth 160,000–260,000 janë jashtë Shqipërisë pa dokumente të vlefshme, kjo sipas një letre nga Zëvendës Ministri i Brendshëm drejtuar Partisë Socialiste. Shumica e çështjeve që kanë të bëjnë me procesin e aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit vazhdojnë të kontestohen gjërësisht mes qeverisë nga njëra anë dhe opozitës nga ana tjetër. Partia Socialiste vazhdon të aludojë se pranimi i aplikimeve bëhet në mënyrë të përzgjedhur në favor të mbështetësve të PD-së, dhe se heqja e qëllimshme e energjisë elektrike dhe problemet me internetin bëhen në mënyrë të qëllimshme për të ngadalësuar procesin e aplikimit dhe për të dekurajuar ata që dihet se janë mbështetës të PS-së. Raportet e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it dëshmojnë se në disa raste jo të gjithë qytetarëve u është dhënë shuma e duhur për kartën e identitetit, edhe pse u takonte kjo, sipas vendimit të Qeverisë, apo se jo të gjithë punonjësit e Postës kishin njohuri mbi këtë vendim (p.sh. në rajonet e Elbasanit dhe Korçës). Disa grupeve aplikantësh u është refuzuar kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për arsye të ndryshme (p.sh. në rajonet e Dibrës dhe Korçës). Vëzhguesit afatgjatë të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kanë raportuar edhe heqjen e energjisë elektrike dhe ndërprerjen e internetit në qëndra aplikimi, në mënyrë të veçantë në rajonet e Elbasanit, Përmetit, Dibrës dhe Korçës, gjë që ka bërë që procesi i aplikimit në kohë të jetë i vështirë për qytetarët. Më 28 maj, Ministria e Brendshme i dërgoi PS-së, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit të OSBE/ODIHR-it një bazë të dhënash me të dhëna jo të sakta për periudhën deri më 26 maj) për qytetarët që nuk janë të pajisur me pasaporta. Kjo bëri që mes Qeverisë dhe PS-së të lindte një mosmarrëveshje dispute. Ministria e Brendshme ia vuri fajin një gabimi teknik, ndërsa PS-ja aludoi se ishin bërë manipulime të qëllimshme të bazës së të dhënave, që mund të ndikonin rezultatet e zgjedhjeve. Më 1 qershor, PS-ja deklaroi se për këtë çështje do të bënte kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Media: Dispozitat e Kodit Zgjedhor për pasqyrimin e fushatës nga ana e transmetuesve publikë dhe privatë monitorohen nga Bordi i Monitorimit të Medias (BMM). Për to, BMM-ja raporton në KQZ duke përdorur kapacitetet teknike të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT). BMM-ja merr nga KKRT-ja vetëm të dhëna sasiore, për shembull shifra për sasinë e kohës që u vihet në dispozicion subjekteve politike, por jo të dhëna cilësore, si për shembull tonin e përdorur gjatë një transmetimi të caktuar. Kjo nuk ndihmon për të përcaktuar nëse transmetuesit i përmbahen detyrimit ligjor për të shfaqur “pluralizëm informacioni”, siç thuhet në Nenin 80.2 dhe lihet të kuptohet nga Neni 84 i Kodit Zgjedhor. Neni 55.8 i Ligjit për Radiot dhe Televizionet Publike dhe Private ndalon reklamat e partive apo shoqërive politike jashtë periudhës zyrtare të fushatës. Megjithatë, që nga fillimi i punës së Misionit të OSBE/ODIHR-it për monitorimin e medias më 14 maj, e deri në fillimin e fushatës më 28 maj, të gjitha kanalet televizive transmetuan reklama nga subjekte të ndryshme politike, përfshirë qeverinë, PS-në, LSI-në dhe G99-n. Në disa prej këtyre reklamave, Kryeministri, zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Kryebashkiaku Edi Rama, përdorën funksionet e tyre institucionale për të bërë fushatë. Ministritë dhe agjencitë qeveritare nxorën disa spote televizive, të cilët mund të interpretoheshin si fushatë zgjedhore në favor të PD-së. Rezultatet e monitorimit të medias nga ana e OSBE/ODIHR-it tregojnë se dy javë përpara se të fillonte zyrtarisht fushata, gjatë edicioneve më të shikuara të lajmeve apo programeve të tjera informative transmetuesit e monitoruar kanë bërë një pasqyrim të pjesshëm dhe jo të balancuar të subjekteve kryesore politike. Megjithëse të gjitha stacionet televizive që po monitorohen ia kushtuan PD-së një pjesë të madhe të kohës së caktuar për subjektet politike, toni i pasqyrimit të informacioneve ishte i ndryshëm, në disa raste madje në mënyrë të konsiderueshme. Televizioni publik shqiptar (TVSH) i kushtoi Partisë Demokratike 64% të pasqyrimit të aktorëve politikë, 74% e së cilës ishte me ton pozitiv. TVSH-ja i kushtoi PS-së 22% të kësaj kohe, nga e cila 42% ishte me ton negative. Televizioni privat TV Klan kishte një qasje të njëjtë, duke i kushtuar PD-së 55%, nga e cila 57% ishte me ton pozitiv, dhe PS-së 37%, nga e cila 35% ishte me ton negativ. Ndërkohë që transmetuesit e tjerë privatë treguan anshmëri me opozitën dhe ishin kritikë ndaj partisë qeverisëse, edhe pse kjo e fundit mori shumicën e kohës së pasqyruar. Televizioni Top Channel i kushtoi 37% të pasqyrimit të Partisë Demokratike, 38% e së cilës ishte me ton negativ, dhe i dha PS-së 29%, prej së cilës 56% ishte me tone pozitive. Transmetuesi Vizion Plus i caktoi PD-së 49% të kohës (75% e së cilës ishte negative) dhe 23% PS-së (53% pozitive). Televizioni News 24 i përkushtoi 51% të kohës PD-së dhe 23% PS-së me pothuajse 44% pasqyrim kryesisht pozitiv për PS-në dhe 44% pasqyrim negativ për PD-në. Në të gjitha televizionet e monitoruara të të gjithë partive të tjera përveç PS-së dhe PD-së iu la shumë më pak kohë.