Tiranë – Vëzhguesit e KE vlerësojnë procesin e zgjedhjeve

Në një deklaratë zyrtare delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KE shprehet se qeveria duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i siguruar çdo votuesi një kartë identiteti në mënyrë që të gjithë votuesit të jenë në gjëndje të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese më 28 qershor. Sipas vëzhguesve cështjet lidhur me kartën e identitetit duhet të zgjidhen në një mënyrë plotësisht transparente për të siguruar besimin publik, si dhe besimin e të gjitha partive politike, në proçesin elektoral demokratik në Shqipëri. Delegacioni vëren se duhet angazhimi maksimal i partive kryesore politike në respektimin e Kodit zgjedhor, duke nënvizuar se ai mund të ketë një impakt pozitiv tek zgjedhjet e 28 qershorit. Theksohet nevoja e mbulimit mediatik të paanshëm dhe të balancuar, të zgjedhjeve, veçanërisht nga Radio Televizioni Shqiptar, i cili nuk duhet të ketë influencë politike. Delegacioni vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një test pjekurie për demokracinë në Shqipëri. Në këtë drejtim, i bëhet thirrje autoriteteve në Shqipëri të implementojnë plotësisht rekomandimet e Asamblesë Parlamentare. Autoritetet e vendit dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë të sigurojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të vullnetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në përfundim të qëndrimit në Tiranë dhe takimeve të zhvilluar me kryeministrin Berisha, ministrat e kabinetit qeveritar, përfaqesues të partive politike si dhe kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së, përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare konfirmuan dërgimin në vend të 20 deputetëve të Këshillit të Europës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare.

Advertisement