Tiranë – Veliaj kritika ndaj Berishës dhe Nanos në Konventën Kombëtare

Pas fjalës së secilit kandidatët, mori fjalën edhe kreu i G99, Erjon Veliaj i cili ka dhënë garancinë e tij se koalicioni qeverisës që do të vijë në pushtet pas 28 qershorit është gati të punojë për ndryshimin e Shqipërisë. “Jemi gati për punë dhe gati për të ndryshuar Shqipërinë. Shqipëria jonë nuk është vetëm e të pasurve, por edhe e të varfërve, nuk është vetëm e pleqve por edhe e të rinjve, nuk është vetëm e fëmijëve të pasur të kryeministrit, por i të gjithë fëmijëve. Për ata që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu sic është, beteja do të jetë shumë e vështirë”, ka deklaruar Veliaj. Lideri i ri ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit aktual të Shqipërisë, Sali Berisha por dhe atë të paraardhësit të tij, Fatos Nano, duke theksuar se ata vetëm vodhën shqiptarët. “Ne kemi një mesazh për zotin Nano dhe Berisha, se Shqipëria që ne aspirojmë nuk është një rulet ku ju mund të hidhni zarat, por ajo do të bëhet një vend i mirë për 3 milionë banorët e saj. Mesazhi për këta njerëz është: si ka mundësi që kemi një kryeministër mjek dhe askush nuk guxon të shkojë në spitale? Si ka mundësi që kishim një ministër ekonomist që harxhoi paratë e shqiptarëve në bixhoz? Prandaj ne duhet të ndryshojmë Shqipërinë, se s’mund ta lëmë në duart e tyre”, ka theksuar Veliaj. Kreu i G99 ka premtuar një qeveri ndryshe, që e ka vëmëndjen tek qytetarët dhe ka paraqitur prioritetet kryesore të tij. “Ne duam një qeveri që sheh dhe që vepron. Ne kemi vendosur ta përqëndrojmë fushatën tonë në dy fusha, që në 100 ditët e para të qeverisjes të garantohet vota e emigrantëve dhe që të shpenzohet për arsimin 5% e GDP-së”, ka pohuar Veliaj. Ai ka ironizuar me mesazhin e dërguar nga kreu i qeverisë në celularët e qytetarëve, duke u shprehur se Berisha ka bërë të kundërtën e atyre që ka premtuar. “Mesazhi i Berishës më erdhi edhe mua. Ai thotë se ka goditur bandat, ndërkohë që ka krijuar bandën më të fuqishme familjare. Ai thotë se ka rritur punësimin, por kemi parë që punësimin të rinjtë e kërkojnë tek shtëpia e zotit Pango. Thotë se kemi ndërtuar aq e kaq rrugë, por e vetmja rrugë që kanë ndërtuar është ajo që financoi xhepat e tyre. Kjo Shqipëri e Berishës nuk është Shqipëria jonë. Ne duam një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë”, ka deklaruar Veliaj. Më tej ai u ka drejtuar një mesazh të pranishëmve, duke iu kërkuar bashkim për ndryshimin më 28 qershor. Veliaj ka shprehur bindjen e tij se ky ndryshim do të arrihet. “Bashkë mund t’ia dalim dhe bashkë mund të ecim përpara. Këto zgjedhje janë në dorën tuaj, në dorën e secilit prej nesh, në dorën e gjithë shqiptarëve që duan ndryshimin”, ka shtuar Veliaj.

Advertisement