“Ky përbën një nga aktet më të rëndësishme atdhetare në këto 20 vite tranzicioni në mbrojtie të integritetit territorial të vendit, por edhe të dinjitetit e të frymës tonë kombëtare”, nënvizon brenda saj, kreu i kësaj shoqate Kujtim Çako. Sipas tij, shoqata e ushtarakëve ishte shoqata e parë në vend që kundërshtoi publikisht marrëveshjen në fjalë, si një akt që cënonte rëndë tërësinë territoriale të vendit. “Na jepet rasti të shprehim konsideratën tonë për vendimin e parlamentit shqiptar për shtyrjen e diskutimit e të miratimit të saj, si një akt të lartë përgjegjësie atdhetare”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë. Sipas Çakos, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një shans të mirë për qeverinë dhe parlamentin shqiptar që mbi bazën e problematikës së ngritur në debatet publike si dhe nga specialistë të fushave të ndryshme, të bëjnë një parapërgatitje serioze, me baza të shëndosha juridike e në përputhje me aktet ndërkombëtare në rinegocimin e marrëveshjes me palën greke. “Për këtë qëllim e në funksion të një pune sa më të arrirë përgatitore por edhe për një paraqitje sa më dinjitoze në bisedime me palën greke, shoqata e jonë shpreh gadishmërinë për të dhënë ndihmesën e saj me specialistë të fushave të ndryshme për gjithë periudhën përgatitore por edhe në procesin e diskutimit të projekt marrëveshjes së re me palën tjetër”, propozohet në fund të kësaj deklarate për shtyp.