Tiranë | USAID marrëveshje për lehtësimin e kredive në sektorin bujqësor

Saturday, December 6, 2025

Përmes marrëveshjes për kredi bujqësore në shumën 15.000.000 dollarë amerikanë ndërmjet USAID-it dhe dy bankave vendase, ProCredit dhe Banka Kombëtare Tregtare (BKT), fermerët shqiptarë dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme bujqësore (SME) do të mund të marrin kredi më me lehtësi. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Ambasadën e SHBA, Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, vuri në dukje se financimi mbetet një nga shqetësimet kryesore për sektorin agrar. “Vetëm rreth 2% e kredive private shkon në sektorin e bujqësisë. Ndërkohë që përmes programit DCA do të jepen kredi për ndërmarrje bujqësore të prodhimit të produkteve të qumështit, frutave e perimeve të freskëta e të përpunuara, përfshi ullirin, bimët mjekësore e erëzat, për të mbështetur investimet në teknologjitë e reja, paketimin dhe marketingun”, tha ai. USAID-i ka qenë aktiv në mbështetjen e bujqësisë shqiptare që kur filloi punën në Shqipëri në vitin 1992. Në fillim puna ka qenë fokusuar në sigurinë e ushqimit dhe në teknikat bujqësore bazë. Kohët e fundit puna është fokusuar në rritjen e konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë dhe të agrobizneseve në tregjet e brendshme e të eksportit, përmes teknikave të përparuara, kontrollit të cilësisë, marketingut dhe paketimit. Duke u ndalur në retrospektivën e këtij bashkëpunimi, Ambasadori Arvizu u shpreh se shumë përparim është bërë gjatë njëzet viteve të fundit, por në sektorin e bujqësisë Shqipëria ka ende një raport të thellë ndërmjet importit dhe eksportit. Sipas tij, afërsisht 50% e fuqisë punëtore është aktive në bujqësi dhe bujqësia ofron një mundësi të rëndësishme punësimi dhe një sistem të sigurisë shoqërore gjatë kohës së vështirësive ekonomike. Marrëveshja u nënshkrua të hënën nga Drejtori i ri i Misionit të USAID-it në Shqipëri, Jim Barnhart, Drejtori Ekzekutiv i BKT-së, Seyhan Pencapligil dhe zëdhënësja e Bordit Drejtues të ProCredit në Shqipëri, Flutura Veipi. Kjo marrëveshje u modelua sipas një programi të ngjashëm, të iniciuar nga USAID-i në Kosovë në vitin 2007, program ky që ka rritur së tepërmi kreditimin e huamarrësve bujqësorë në Kosovë. Të dyja bankat, BKT e ProCredit, do të promovojnë produktet e tyre të reja të kredisë për huamarrësit e mundshëm bujqësorë në Panairin e Përvitshëm Shqiptar të Bujqësisë në Tiranë, më 20-23 shtator 2012. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -