Në një konferencë për pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe politike Uollfarth theksoi se një barazi më e madhe mes burrave dhe grave është jetësore për arritjen e sigurisë, prosperitetit dhe standardeve të plota demokratike, dhe kështu, edhe për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e OSBE-së. “OSBE-ja gjithmonë e ka parë nxitjen e barazisë gjinore si një përparësi të dorës së parë, duke filluar me miratimin e Aktit Final të Helsinkit, kur shtetet pjesëmarrëse u zotuan se do të respektonin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të gjithë pa asnjë dallim përkatësie gjinore. Roli i ekzekutivit, legjislativit dhe shoqërisë civile në integrimin gjinor në politika dhe në zbatimin e legjislacionit të barazisë gjinore është qartazi shumë i rëndësishëm. Edhe partitë politike kanë rolin e tyre në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të favorshëm, në të cilin mund të garantohet një përfaqësim politik më i drejtë i grave në institucionet përfaqësuese. Përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në politikë përbën një parametër kyç të çdo demokracie moderne” theksoi Uollfarth.