Ndërsa i pyetur nëse do të ishte mirë një ndryshim i Kushtetutës për këtë qëllim Uollfarth u përgjigj se “Kushtetuta nuk duhet prekur çdo ditë”. “Jam i sigurt që bashkërisht mund të gjendet një zgjidhje e mirë në parlament. Kushtetuta nuk duhet prekur çdo ditë”, u përgjigj Uollfarth. Në komentet e tij për këtë çështje ai tha se “imuniteti duhet të përdoret vetëm për t’u shërbyer njerëzve dhe për asgjë tjetër dhe duhet të ketë kufij. Unë jam në favor të një zgjidhje dhe votimi të shpejtë”. Ndërsa i pyetur, nëse klasa politike e ka gjetur tashmë rrugën e bashkëpunimit dhe nëse Shqipëria është afër statusit të vendit kandidat, ambasadori i OSBE-së tha se ky status është shumë më afër, por mbetet gjithashtu ende shumë punë për të bërë. “Procesi i reformave duhet të vazhdojë, reforma zgjedhore, parlamentare dhe reforma në drejtësi, për të përmendur vetëm më të rëndësishmet. Unë sigurisht që uroj të ketë një rekomandim pozitiv, por në fund vendimi i takon Komisionit, i cili ia paraqet rekomandimin e tij shteteve anëtare të BE-së”, tha Uollfarth.