Tiranë – Universiteti i Tiranës propozon tarifat e reja për Fakultetet

Në krahasim me një vit më parë, tarifat e shkollimit që janë propozuar kanë pësuar një rritje të madhe sidomos për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku është propozuar tarifa prej 85 mijë lekësh, pra gati 5 herë më shumë se një vit më parë. Aktualisht, propozimet e fakulteteve janë dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit, e cila pas rishikimit do t’i kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Do të jetë pikërisht ky i fundit që do të vendosë përfundimisht, se sa do të jenë tarifat përfundimtare të shkollimit për çdo fakultet. Shkak, janë bërë konsumimi i bazës didaktike si dhe ambienteve fizike nga flukset e pranimeve të studentëve të rinj gjatë viteve të shkuara. Kjo situatë nuk është shoqëruar me rritje të investimeve infrastrukturore në përmirësimin e këtyre treguesve. Rritja më e madhe e tarifave të shkollimit pranë 8 fakulteteve të Universitetit të Tiranës, është shënuar veçanërisht te ai i Gjuhëve të Huaja, Mjekësisë dhe Drejtësisë. Per degët që ofrohen pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Drejtësisë, studentët do të duhet të paguajnë 40 mijë lekë, pra 10 mijë lekë më tepër se një vit më parë. Ndërsa, për fakultetet e tjera rritja është luhatur në shifrën e 5 mijë lekëve. Tarifa vjetore për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë është 20 mijë lekë dhe Fakulteti i Ekonomisë 25 mijë lekë. Të njëjtën tarifë vjetore ka propozuar edhe Fakulteti i Infermierisë. Fakulteti i Shkencave Sociale ka propozuar shumën e 30 mijë lekëve për të gjitha degët universitare. Degët e Shkencave të Natyrës do variojnë me tarifa nga 30 mijë deri në 13 mijë lekë në vit. Këto tarifa të propozuara u përkasin vetëm programeve të para të studimit, teksa për diplomat e nivelit të dytë apo masterat e nivelit të parë janë përcaktuar tarifa të tjera studimi.

Advertisement