Tiranë | Tryeza BE-Shqipëri: duhen plotësuar sfidat për të bërë progres

alt

Ambasadori Sequi e cilësoi marrëveshjen e MSA-së si sfidë për progresin dhe kërkoi që Shqipëria të adresojë sfidat që i duhen për integrimin sa më shpejtë. “Kjo është strategji kryesore për Shqipërinë. Marrëveshja e MSA-së është një sfidë përpara për progresin. Shqipëria duhet të plotësojë sfidat për të bërë progres. Do të mirëpres planin e aksionit që pritet të miratohet së shpejti. Ne besojmë në kapacitetet e Shqipërisë”, tha Sequi. Sipas tij, “Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë, bazuar në konsensusin kombëtar dhe vullnetin e qartë politik në arritje konkrete në të mirë të shqiptarëve”. “Këto janë çështje që duhen adresuar, por kjo është përgjegjësia juaj, ky është vendi juaj”, theksoi Sequi. Ndërsa Drejtori i i Ballkanit në KE, Pierr Mirel, gjatë fjalës së tij theksoi si pozitive zhvillimet në muajt e fundit. Ai kërkoi që Shqipëria të kthejë integrimin në çështje kombëtare, ndërkohë që kërkoi dialog gjithëpërfshirës mes palëve “Kemi parë muajt e kaluar zhvillime pozitive, të cilat kanë qënë inkurajuese. Këto duhen kthyer në masa konkrete. Ne mirëpresim jo vetëm dialog në parlament, por edhe këtu me ne. Siç tha ambasadori Sequi, do të diskutojmë edhe për programin e mbështetjes. Këtu nuk shprehim vetëm pikëpamjet tona, por edhe të 27 vendeve anëtare dhe shpresojmë që të gjejmë një progres”, u shpreh Mirel. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa pozitive dhe sipas saj, kjo duket në angazhimin që të dyja palët kanë në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Bregu theksoi se vendi ka bërë progres në 12 prioritetet e kërkuara, ndaj bëri thirrje që gjithçka të vlerësohet me ndershmëri.

Advertisement