Tiranë – Topi, Withers, Bosch, apel qytetarëve të votojnë

Pas takimit, nëpërmjet një deklarate Topi u bëri apel partive politike që të jenë të kujdesshme. “Korrektësia e zgjedhjeve është vendimtare. Apeli im në këtë ditë është pjesëmarrja në zgjedhje me qetësi”, tha Presidenti. “Unë besoj se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë po ashtu korrekt”, u shpreh Topi. Presidenti theksoi se sot shqiptarët duhet të tregojnë se dinë të administrojnë fatet e kombit. “Njerëzit duhet të votojnë për atë që dëshirojnë, të jenë të qetë, të lirë dhe të marrin pjesë në votim me qetësi”, u shpreh Topi. Kreu i shtetit kërkoi që zgjedhjet e 28 qershorit, të bëjnë histori, duke rezultuar si të lira të pakontestueshme dhe të drejta. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, pas takimit me presidentin Topi, u shpreh se deri tani situata zgjedhore paraqitet e qetë. Bosch i bëri apel qyetarëve të votojnë dhe të tërheqin kartat e identitetit. Ambasadori amerikan , John Withers në takimin me presidentin Topi deklaroi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë e bukur dhe demokratike. “Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë individualisht”, tha Withers. Ambasadori amerikan bëri edhe një herë apel për zgjedhje të lira. “Parim kryesor i zgjedhjeve duhet të jetë vullneti i qyetarëve”, tha Withers.