Tiranë – Topi apel qytetarëve për paisjen me karta identiteti

Ky është apeli që ka hedhur për procesin zgjedhor të 28 qershorit në vendin tonë, kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tij, në këtë kuadër përfshihet edhe procesi i pajisjes me karta identiteti të qytetarëve, prandaj ai u ka drejtuar thirrje të gjithë atyre që nuk janë pajisur ende me to, të rendin për t’i marrë. “Të aplikojë për kartat e identitetit kush nuk e ka bërë ende”, mësohet të ketë thënë në mbledhjen e KLD-së presidenti Topi. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar që institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jetë jashtë influencimeve të partive politike në këtë proces zgjedhor. Më pas, ai ka folur edhe mbi rolin e madh që ka Kolegji Zgjedhor për realizimin e një procesi të rregullt dhe me standarde. “Kolegji Zgjedhor t’i përmbahet Kushtetutës dhe ligjit për ankesat. Ky institucion ka përgjegjësi maksimale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vendin tonë. Prandaj, ai duhet të jetë korrekt me ankesat që do mbërrijnë dhe vendimet që do të japë. Kemi pritshmëri të lartë ndaj Kolegjit”, ka deklaruar kreu i shtetit lidhur me një fakt të tillë.

Advertisement