Tiranë | Topalli: rekomandimet e ODIHR janë reforma zgjedhore

alt

Gjatë takimit me ekspertët e OSBE/ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, kryeparlamentarja Topalli premtoi se opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional, i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standarti dhe jo çështje partiake. Zonja Topalli i falenderoi përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin dhe mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për reformën elektorale. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi përfundimet e Raportit të ODIHR, që i cilësoi zgjedhjet e fundit lokale në vend kompetitive dhe transparente. “Këto zgjedhje ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament”, theksoi Topalli. Zoti Jessie Pilgrim, nënvizoi gjatë takimit se Shqipëria ka një progres shumë evident përsa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore. Sikundër informon Kuvendi, ekspertët e ODIHR-it shprehën gatishmërinë e tyre maksimale për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it shprehën bindjen në cilësinë e lartë të ekspertizës shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ekspertët e ODIHR-it u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila sipas tyre do të materializojë rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, e do të miratohet brenda afatit të duhur kohor. Ekspertët e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë.

Advertisement