Kryetarja Topalli vlerësoi se reforma zgjedhore duhet të plotësojë dhe shmangë njëherë e mirë çdo lloj boshllëku të së kaluarës si votimin familjar, braktisjen e detyrës nga ana e administratës zgjedhore, vendosjen e shenjtërisë së ligjit dhe jo urdhërit politik. “Reforma zgjedhore është detyrë. Në rolin tim garantoj mbështetje të plotë për punën tuaj të përbashkët”, theksoi Topalli. Kryeparlamentarja nënvizoi se komisioni i reformës, pas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, ka bërë progres në miratimin, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të amendamenteve në ligjin zgjedhor, të cilat janë çertifikuar nga ekspertiza ndërkombëtare. “Dua të kem besim të plotë tek përpjekjet, bashkëpunimi dhe profesionalizmi i të gjithë anëtarëve të komisionit, të cilëve iu është atashuar ekspertiza më e mirë dhe më e kualifikuar në fushën e zgjedhjeve, si me ekspertët vendas dhe me ata ndërkombëtarë”, tha Topalli. “Refoma zgjedhore është çështje kyçe në rrugën e integrimit dhe përbën një nga indikatorët kryesorë të progresit të Shqipërisë europiane në rrugën drejt BE-së. Për këtë arësye që në fillim kam shpresuar se pas dy viteve të humbura të gjitha forcat politike do të ngrihen në përgjegjësinë që i kërkon koha, që bashkëpunimi i tyre të shkojë përtej interesave individuale politike dhe në dobi të interesit kombëtar”, theksoi kryetarja Topalli. Ajo shprehu bindjen se reforma aktuale zgjedhore, me rekomandimet e OSBE/ODIHR-t dhe Komisionit të Venecias do i ofrojë Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2013, dokumentin më të mirë zgjedhor.