Tiranë – Topalli, prioritet i mandatit të dytë do të jetë punësimi

Zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi se në kuadër të turit “Gratë për fitoren”, Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, vuri në dukje arritjet e prekshme dhe premtimet e mbajtura të Qeverisë në këto katër vite. Ajo theksoi se prioriteti kryesor i mandatit të dytë do të jetë punësimi. “Në mandatin e dytë fokusimi ynë, do të jetë: e para, punësimi, e dyta, punësimi, e treta, punësimi. 160 000 vende pune, është një premtim që do të mbahet, sepse vetëm të kontraktuara nga Kryeministri Berisha dhe vetëm nga marrëveshjet ekonomike, të votuara në Parlament, janë 5 miliardë euro të tjera. Dhe kjo do të thotë punësim dhe të ardhura”, tha nënkryetarja e PD-së. Nga ana tjetër, ajo ka shigjetuar gjatë fjalimit të saj edhe kryebashkiakun Edi Rama, për të cilin ka thënë se ai nuk vendos të kandidojë duke vënë emrin në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, pasi nuk i merr dot 15 % të votave të qytetarëve. “Ai nuk pranoi të hyjë në listën e deputetëve, pasi karrigen e deputetit e konsideron një vend që nuk të jep dot 15% “, tha Topalli. Ndër të tjera, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka pohuar para grave të Kombinatit sukseset e deritanishme të qeverisë së djathtë të cilat sipas saj janë inaugurimi i rrugës Durrës-Kukës, hyrja në NATO si edhe investimet e shumta të realizuara këto 4 vitet e fundit.

Advertisement