Tiranë | Terminali i pasagjerëve, faqe e re në historinë e urbanizimit

Marrëveshja është nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtori i përgjithshëm i “Ital – Ferr”, Renato Casale, në prani të përfaqësuesit të BERZH për Shqipërinë Fabio Serri dhe ambasadorit italian Massimo Gaiani. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar ndërtimin e terminalit multimodal, një faqe të re në historinë urbane të Tiranës. ”Ndërtimi i këtij terminali do të bëjë të mundur zhvendosjen e makthit që sot përjetojmë në rrugët e qytetit, si rezultat i mungesës së tejzgjatur të një pike të tillë në qytetin tonë. Do të mundësojë zhvendosjen e Stacionit të Trenit, për t’i hapur rrugë projektit të bulevardit që do të jetë pika fillestare e ndërtimit të tramit të Tiranës, përkatësisht të linjës veri – jug. Vetë projekti dotë mundësojë punësimin e mijëra qytetarëve të Tiranës, ndërsa përfundimi i tij do të shënojë pa dyshim një faqe të re, në historinë urbane të Tiranës moderne dhe evropiane. Përveç funksioneve që ka ky terminal, urbanizimi i kësaj zone do të jetë një funksion i drejtpërdrejtë, bëhet fjalë për një zonë në tërësi informale dhe veçanërisht atje ku sot kalon hekurudha, zona ka pësuar trauma nga më të ndryshmet duke përfshirë edhe traumat njerëzore, të humbjes së jetës së qytetarëve, çka ka qenë një trashëgimi e hidhur, e përvitshme, për shkak të kushteve të rënduara të infrastrukturës. Transformimi pra që do të sjellë në jetën e qytetarëve të këtyre zonave, do të jetë maksimal, nëpërmjet transformimit të zonës ku jetojnë dhe rritjes së shanseve për punësim” Përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që është dhe financues i realizimit të studimit të fizibilitetit dhe përgatitjes së termave të referencës për terminalin multimodal ka vlerësuar angazhimin e Bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar për herë të parë një vepër të tillë në Shqipëri, sikundër shprehu angazhimin për të mbështetur edhe investime të tjera private në Tiranë. “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme, pasi bëjmë një hap vendimtar në realizimin e një vepre që nuk ka pasur të tilla në llojin e vet, në historinë e këtij vendi, një vepër që do të shikojë për të parën herë pjesëmarrjen e sektorit privat në këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës publike. Jemi veçanërisht të kënaqur për këtë event të sotëm, i cili u mundësua falë punës voluminoze të stafit të Bashkisë, të cilëve u jam mirënjohës. Jam surprizuar shumë nga profesionalizmi dhe aftësia e skuadrës që Kryebashkiaku Basha ka vënë në dispozicion të këtij projekti. Ne do të jemi të gatshëm për të mbështetur investimet private që do të vijnë në të ardhmen. Shpresojmë që Ital-Ferr, e cila sot përfaqësohet në nivelet më të larta, do të sjellë një kontribut cilësor dhe shpresojmë që të mund të fillojë sa më shpejt realizimi i kësaj vepre” Drejtori i pergjithshem i “Ital – Ferr” ka shprehur angazhimin e kësaj kompanie, për të përfunduar sa më parë këtë projekt, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e Tiranës, terminalin multimodal. Renato Casale tha se “Ital – Ferr” do të synojë përdorimin e teknologjive që i pergjigjen sfidave për dhjetra e dhjetra vite. “Ne do të vëmë në dispozicion profesionalizmin tonë më të lartë, dedikimin dhe përkushtimin tonë më të lartë, në mënyrë që të mund ta realizojmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe duke iu përgjigjur qoftë pritshmërive të BERZH, por kryesisht Bashkisë së Tiranës që është klienti final i kësaj vepre të rëndësishme. Ky projekt ka një impakt të madh në qytet, sa i përket ndërhyrjes multimodale dhe rivlerësimit urban si dhe në zhvillimin në përgjithësi, duke qenë se Tirana është kryeqendra e vendit. Ajo që ne synojmë të bëjmë, gjë të cilën e aplikojmë edhe në Itali, është lidhja e vendit ku zhvillohet një infrastrukturë me aplikimin e teknologjive që i përgjigjen vendndodhjes së ndërhyrjes. Projekti do i përmbahet kritereve që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë dhe impakt sa më të ulët mjedisor, përgjatë gjithë jetëgjatësisë së veprës, pra jo vetëm gjatë ndërtimit, jo vetëm për transportin, jo vetëm për menaxhimin por do të kemi parasysh edhe destinacionin e materialeve deri në fund, që do të jetë pas shumë dhjetëvjeçarësh“ “Mbështetjen që qeveria italiane i ka dhënë këtij projekti, përmes financimit të studimit të fizibilitetit, në kuadër të BERZH është shenjë e vazhdimit të mbështetjes për projekte të rëndësishme në Shqipëri” – tha ambasadori italian Massimo Gaiani. Paralelisht me këtë proces, Universiteti Polis dhe partnerët e tij, gjatë “Javëve të Arkitekturës” në Tiranë, kanë bërë një konkurs për dizenjon arkitekturore të terminalit të ri. Sot janë ndarë dhe çmimet për dizenjon arkitekturore të terminalit të ri. 40 arkitektë të rinj nga vende të ndryshme të botës morrën pjesë në këtë konkurs, i cili kishte për kryetar jurie, arkitektin e njohur Uinny Maas. “Është një nder i madh të kthehesh sërish në Tiranë. Jam tepër i gëzuar që shoh manifestimin e energjive të cilat po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha çdo vit dhe ndërsa sot po festojmë së bashku edhe me evente të tjera, prezantimin e këtij plani që e bën Tiranën më të dukshme, e bën atë edhe më tërheqëse dhe projekti për stacioni multimodal është një nga ato aspekte, që rrit më shumë cilësinë e planit”

Advertisement