Tiranë | Tavo: Çështja e toponimeve, institucionet zgjidhje sa më të shpejtë

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo përsëriti sot shqetësimin për çështjen e toponimeve, duke i bërë apel institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për zgjidhjen e saj. Në prag të vizitës në Athinë të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, deputeti Tavo kërkoi një trajtim serioz të kësaj çështje nga zyrtarët e të dy vendeve. “Gjithkush nga ne është në dijeni të këtij ngërçi, ku mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi mes tyre dhe shumë qytetarë shqiptarë me kombësi greke nuk mund jo vetëm të kalojnë kufirin për të parë të afërmit e tyre gjatë fundjavave, por nuk mund të kryejnë asnjë transanksion ligjor derisa shteti grek nuk njeh toponimet me emërtesat e vendit tonë. Kjo situatë është e pafalshme në radhë të parë për ne politikanët që po i lëmë qytetarët tanë të vuajnë, sot, në vitin 2014″, deklaroi Tavo. Duke theksuar se emërtesat e toponimeve sugjerohen nga komisionet përkatëse të OKB-së dhe rezolutat e Parlamentit Europian dhe ato të Këshillit të Europës, deputeti i LSI-së falenderoi Avokatin e Popullit, si një ndër institucionet e vetme që e ka ngritur zërin për këtë çështje dhe si ideuesi kryesor i qeverisë shqiptar, për t’i dhënë zgjidhje problemit.

Advertisement